Nga Leonard Veizi
Kontrolli i mendjes është forma më brutale e dhunës pa gjak. Është akti më i skajshëm i zhveshjes së njeriut nga vetvetja.
Nuk është thjesht diktim i sjelljes, por kolonizim i vetëdijes. Nuk është imponim i një ideje, por pushtim i territoreve më intime të ndërgjegjes, ku mendimi nuk lind më i lirë, por diktohet si urdhër. Në këtë proces, individi nuk është më subjekt, por objekt që vepron me një liri të rreme. Aty ku dikur liria lindte natyrshëm si mendim, tashmë ngjizet si komandë. Njeriu – subjekt i përhershëm i vetes – kthehet në objekt: një trup që flet me fjalët e një tjetri, ndjen me emocionet e imponuara dhe beson me mendjen që nuk është më e tij.
Kontrolli i mendjes nuk është thjesht mjet i pushtetit; është zëvendësim i shpirtit. Dhe kur pushteti arrin të hyjë aty ku as feja, as morali, as shoqëria nuk lejuan kurrë të hyhej – në thelbin e njeriut – ai s’ka më nevojë për pranga apo burgje. Skllavëria e mendjes nuk lë gjurmë të dukshme, por shkatërron gjithçka që dikur quhej zgjedhje.
Kur dosjet folën
Për vite me radhë, kjo ishte lëndë romanesh dhe teorish konspirative. Deri më 20 korrik 1977.
Nën presionin e Aktit për Lirinë e Informacionit dhe hetimeve të Komisionit Church në Senatin Amerikan, CIA pranoi zyrtarisht atë që deri atëherë ishte mohuar: ekzistencën e programit MK-Ultra.
Nisur në fillim të viteve ’50 dhe i kodifikuar zyrtarisht më 13 prill 1953 me urdhër të drejtorit të atëhershëm Allen Dulles, programi kishte një qëllim të vetëm: të gjente mënyrën për të kontrolluar sjelljen njerëzore. Laboratori ishte njeriu vetë. Mjetet: doza masive LSD-je të dhëna pa dijeninë e subjekteve, hipnozë, privim ndijor, elektroshok, abuzim verbal dhe trauma të qëllimshme, në universitete, spitale, burgje dhe baza ushtarake.
Objektivi final ishte pikërisht ai që letërsia e kishte pagëzuar “Kandidati Mançurian”: krijimi i një vrasësi që nuk e di se është vrasës, i një spiuni që nuk e kujton misionin, i një njeriu që mund të aktivizohet me një fjalë, një tingull, një sinjal.
Dokumentet thonë se programi u kufizua në 1964, u tkurr në 1967 dhe u urdhërua të shkatërrohej në 1973 nga drejtori i atëhershëm Richard Helms – pikërisht kur Kongresi nisi hetimet për abuzimet e Luftës së Ftohtë. Mbi 20.000 dokumente u asgjësuan. Ajo që mbeti dhe u deklasifikua në ’77 ishte vetëm maja e ajsbergut.
Dhe këtu lind pyetja editoriale që nuk mund ta shmangim: A mbyllen vërtet programe të tilla? Apo ato vetëm ndryshojnë emër, ndryshojnë metodë dhe ndryshojnë mbulesë ligjore?
“Kandidati Mançurian” – nga trillimi në paralajmërim
Termi nuk lindi në laborator, por në letërsi. Romani i Richard Condon-it, The Manchurian Candidate (1959), dhe dy ekranizimet e tij – kryevepra e John Frankenheimer-it në 1962 dhe versioni i Jonathan Demme-s në 2004 – e kthyen idenë në mit kulturor.
Në versionin e vitit 2004, me Meryl Streep në rolin e senatores së pamëshirshme Eleanor Shaw, Denzel Washington si majori Ben Marco dhe Liev Schreiber si Raymond Shaw, metafora bëhet edhe më aktuale. Nuk kemi më komunistë kinezë që lajnë trurin e ushtarëve në Mançuri. Kemi korporatën globale “Manchurian Global”.
Raymond Shaw kthehet nga Lufta e Gjirit si hero kombëtar dhe katapultohet drejt zyrës së nënpresidentit, i shtyrë nga ambicia patologjike e së ëmës. Por ish-komandanti i tij, Marco, torturohet nga ëndrra të përsëritura, nga kujtime që nuk përputhen. Ai zbulon se kujtimi i heroizmit të Shaw është një implant, një programim neurologjik i bërë për ta shndërruar atë në një kukull perfekte politike.
Filmi nuk është më një thriller i Luftës së Ftohtë. Është një diagnozë e demokracisë së korporatizuar.
Mançuriani i ri nuk ka nevojë për çip
Dhe këtu filmi pushon së qeni fiksion dhe nis një ide e re.
Në 1953, për të kontrolluar një mendje duhej LSD, dhomë izolimi dhe vite eksperimentesh të paligjshme. Në 2026, nuk të duhet laborator. Të duhet algoritmi.
“Kandidati Mançurian” i sotëm nuk programohet me gjilpërë, por me fushë beteje informative. Nuk ka nevojë t’i fshish kujtesën, mjafton t’ia mbushësh me zhurmë. Nuk ka nevojë ta hipnotizosh, mjafton ta mbash në një dhomë jehone digjitale ku i njëjti mesazh, i njëjti frikësim, i njëjti armik i përsëritet 500 herë në ditë.
MK-Ultra dështoi shkencërisht të krijojë një vrasës të përsosur. Por ia doli kulturalisht: na mësoi se pushteti e ëndërron gjithmonë njeriun pa vullnet.
Nëse demokracia dikur kishte frikë nga grushti i shtetit me tanke, sot duhet të ketë frikë nga grushti i shtetit me dopaminë – nga manipulimi i vëmendjes, nga mikro-targetimi i frikës, nga industria që e di më mirë se ti vetë se çfarë do të urresh nesër.
Mançuriani nuk është më një personazh. Është një model biznesi. Është qytetari që voton kundër interesit të tij, duke besuar se po ushtron lirinë më supreme.
Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë pyetja më e rrezikshme nuk është më “a na kontrollojnë mendjen?”, por: “A është ende vullneti ynë i lirë, apo thjesht një program që funksionon mirë?”
Kontrolli i mendjes e zhduk nocionin e zgjedhjes dhe e shndërron vetëdijen në skllavëri të heshtur, ku bindja nuk është më çështje arsyetimi, por programimi. Në thelb, është fitorja më e errët e pushtetit mbi shpirtin. Dhe pikërisht sepse nuk lë gjurmë, është e vetmja diktaturë që viktima e quan liri.
