Nga Leonard Veizi
Prej kohësh jetojmë në një epokë të çuditshme. Sekretet janë bërë publike pa qenë publike. Dosjet lexohen pa u hapur. Kasafortat çelen pa u thyer. Dhe informacionet më të klasifikuara të planetit gjejnë rrugën deri në studion e radhës televizive.
Mjafton të ndizet kamera.
Del një njeri serioz, me fytyrën e dikujt që sapo ka dalë nga bodrumi i Pentagonit, Kremlinit apo Zonës 51. Flet me ton të ulët. Ndalet në vendet e duhura. Vështron kamerën sikur pas saj fshihet armiku. Dhe thotë: “Kjo është diçka që ata nuk duan ta dini.”
Kaq mjafton. Sepse fjala “sekret” ka magji. Sa më sekret informacioni, aq më shumë njerëz duan ta besojnë.
Kemi dosje “Top Sekret”. Dokumente që askush nuk i ka parë, por dikush i ka lexuar. Burime që nuk identifikohen. Dëshmitarë që s’mund të dalin publikisht. Ish-oficerë pa emër. Shkencëtarë pa laborator. Ekspertë pa dokumente. Dhe një fjali që i zgjidh të gjitha: “Nuk mund t’ju them më shumë.”
Ah, sigurisht. Sepse po të na thuhej më shumë, do na vinte rreziku te dera.
Por këtu ka një problem të vogël: Si na tregove deri tani?
Kjo është pyetja që mungon gjithmonë. Dhe këtu fillon komedia.
Na thonë se ekzistojnë struktura aq sekrete sa s’hyn dot askush. Se dokumentet ruhen me masa të jashtëzakonshme. Se kush di të vërtetën ka firmosur betime konfidencialiteti. Se informacioni mund të rrezikojë sigurinë kombëtare dhe jetën e miliona njerëzve.
Mirë. Po ti, zotëri i televizionit, si e more vesh? Kush ta dha? Ku e takove? Ta dha me kopje? Ta dërgoi me postë? Ta la poshtë derës? Të telefonoi nga numër i fshehtë? Apo ta solli pëllumbi nga kasaforta?
Nuk e dimë. Sepse “burimi” nuk bëhet publik. Burimi mbetet gjithmonë i padukshëm.
Sa komode!
Kur një gazetar publikon një dokument serioz, mund të pyesësh: kush e nxori, kur është prodhuar, kush e firmosi, a është autentik, a ka gjurmë arkivore?
Kur bëhet fjalë për konspiracionin, këto pyetje quhen mungesë besimi. “Pse nuk më beson?”
Jo, mik. Po të kërkoj provën. Është krejt tjetër gjë.
Të dyshosh ndaj pushtetit është e shëndetshme. Të mos besosh verbërisht deklaratat zyrtare është pjesë e një shoqërie të lirë. Historia është plot me qeveri që kanë fshehur të vërteta dhe shërbime sekrete që kanë bërë operacione të paligjshme.
Por nga kjo nuk del se çdo histori e pabesueshme është e vërtetë.
Përndryshe formula bëhet absurde: Nëse shteti e mohon, është e vërtetë. Nëse s’ka prova, aq më mirë, se i kanë fshehur. Nëse dokumenti s’gjendet, e kanë zhdukur. Nëse s’ka dëshmitarë, i kanë eliminuar.
Një teori që shpjegon gjithçka, nuk provon asgjë. Është ndërtuar që të mos rrëzohet kurrë.
Pastaj vjen pjesa më interesante.
Na thuhet se ekziston një makineri gjigante për të na gënjyer. Shtete, ushtri, shërbime sekrete, universitete, laboratorë, kompani, shkencëtarë, mjekë, inxhinierë, media – mijëra njerëz, të gjithë në të njëjtën skemë. Për dekada. Pa gabuar. Pa u grindur. Pa tradhtuar. Pa nxjerrë një dokument. Pa marrë para për të folur. Pa u dehur një natë dhe për ta nxjerrë bllofin.
Kjo është pjesa më fantastike e historisë.
Komplote të vogla janë të mundshme. Komplote të mëdha janë më të vështira. Por komplote globale që kërkojnë që mijëra njerëz të heshtin për dekada?
Këtu s’kemi më problem me politikën. Kemi problem me natyrën njerëzore.
Njeriu s’di të ruajë as sekretin e vet. Jepi një informacioni që nuk duhet ta dijë askush dhe pas pesë minutash do kërkojë dikë të cilit “mund t’ia thotë, por vetëm mes nesh”.
Kështu funksionon bota. Sekreti rrjedh. Dhe kur është real, lë gjurmë.
Po, ka dokumente sekrete. Ka dosje të klasifikuara. Ka operacione të fshehta. Ka informatorë. Ka njerëz që paguajnë çmim të rëndë për atë që nxjerrin në dritë.
Por ka dallim të madh mes rrjedhjes së informacionit dhe prodhimit të një historie që nuk verifikohet. E para kërkon prova. E dyta kërkon audiencë.
Dhe audienca sot është shumë e uritur. Sidomos për atë që duket e ndaluar.
Kështu lindi një industri e tërë. Një ekonomi e misterit. Sa më e pabesueshme historia, aq më shumë klikime. Sa më i madh armiku, aq më shumë shikues. Sa më i errët komploti, aq më i madh emocioni.
Një thashethem hyn në internet të hënën, bëhet “informacion i klasifikuar” të mërkurën dhe del në televizion të premten si “zbulim tronditës”.
Pastaj vjen fjalia tjetër: “Na kanë gënjyer.”
Po, është e mundur. Qeveritë kanë gënjyer. Shërbimet sekrete kanë gënjyer. Kompanitë kanë fshehur të dhëna.
Por nëse “ata” paskan ngritur një makineri globale, shumë miliardëshe, me mijëra njerëz të koordinuar për dekada vetëm për të na bindur ne se diçka nuk ekziston, lind pyetja: Për çfarë?
Këtu teoritë konspirative kanë problem serioz me matematikën.
E vërteta mund të jetë e fshehur. Mund të kërkojë vite kërkimi. Por nëse dikush pretendon se e ka gjetur, barra është mbi të.
Dhe rikthehemi te pyetja e fillimit.
Kush ua dha sekretin?
Na tregoni gjurmën. Në të kundërt, kemi vetëm një histori. Dhe historitë janë të bukura, por nuk janë prova.
