Nga Leonard Veizi
Shtypi sot ndodhet në ditë të vështira. Sidomos ai i shkruar, por edhe ai viziv. Një celular i pakontrolluar bën sot më shumë nam se një tirazhi i tërë gazetash dje. Një video pa kontekst, një fjali e shkëputur, një akuzë pa firmë shpërndahen më shpejt se çdo e vërtetë e verifikuar…
…Shtypi nuk është faqe gazete, mikrofon apo ekran. Është mënyra se si një shoqëri informohet, debaton dhe kërkon llogari. Kur ai dobësohet, dobësohet zëri i qytetarit.
Sot lajmi mbërrin për sekonda. Në këtë garë shpejtësie, puna e gazetarit është bërë më e vështirë dhe më e domosdoshme se kurrë: të ndajë faktin nga thashethemi, të vërtetën nga manipulimi, informacionin nga propaganda.
Gazetari nuk është zëdhënës i pushtetit, as gjykatës i askujt. Detyra e tij është të kërkojë faktet, të dëgjojë palët, të bëjë pyetjet e vështira dhe t’ia japë publikut të vërtetën të kuptueshme. Kjo kërkon profesionalizëm. Dhe guxim.
Sepse shpesh e vërteta shqetëson. Politikanin, biznesmenin, zyrtarin, institucionin. Por pikërisht atëherë matet liria e shtypit.
Liria e shtypit nuk është liri për të shpifur. Është liri me përgjegjësi: për dinjitetin, privatësinë, prezumimin e pafajësisë, të drejtën për t’u dëgjuar.
Në epokën e rrjeteve sociale, çdo qytetar mund të publikojë. Por jo çdo publikim është gazetari. Gazetaria kërkon burime, dokumente, verifikim, kontekst. Kërkon përgjegjësi.
Pas çdo lajmi janë njerëz. Një titull i pamatur dëmton një familje. Një informacion i pakonfirmuar shkatërron një reputacion. Një akuzë pa prova mbetet përgjithmonë në internet, edhe kur del e pavërtetë.
Prandaj shtypi duhet të jetë i lirë, por edhe i përgjegjshëm.
Dhe gazetari duhet të punojë pa presion, kërcënime e ndërhyrje. Kur një gazetar ka frikë të pyesë, kur një redaksi detyrohet të heshtë përballë një interesi të fuqishëm, kur lajmin e dikton paraja apo politika, humbja nuk është e medias. Është e publikut.
Sepse qytetari ka të drejtë të dijë. Si shpenzohen paratë e tij. Çfarë ndodh në institucionet që e përfaqësojnë. Të dëgjojë versione të ndryshme dhe të gjykojë vetë.
Nuk kemi mungesë informacioni. Kemi mungesë informacioni të besueshëm.
Vlen të kujtojmë gazetarët larg kamerave: ata që shpenzojnë orë duke kontrolluar dokumente, duke telefonuar burime, duke ndjekur një pistë. Puna e tyre nuk duket, por mban në këmbë një shoqëri të informuar.
Shtypi i lirë nuk ndërtohet vetëm nga gazetarët. Kërkon institucione transparente, pronarë që respektojnë pavarësinë editoriale, gazetarë që respektojnë etikën dhe një publik që kërkon cilësi, jo vetëm sensacion.
Fjala e lirë s’ka vlerë nëse askush nuk guxon ta thotë të vërtetën. Dhe e vërteta s’ka vlerë nëse nuk kërkohet me përgjegjësi.
Një shoqëri e shëndetshme ka nevojë për një shtyp që pyet, heton, verifikon dhe nuk hesht.
Sepse kur hesht shtypi, hesht edhe qytetari.
