Last Updated on 18/08/2026 by Anisa
Skyscanner ka prezantuar një mjet të ri interaktiv që ndihmon udhëtarët të gjejnë plazhin perfekt, bazuar në atmosferën që kërkojnë, buxhetin, kohën e udhëtimit dhe shërbimet që preferojnë.
Jo të gjitha pushimet në plazh janë njësoj. Për dikë, parajsa mund të jetë një gjire i qetë, një libër dhe pak njerëz përreth, ndërsa për të tjerë mund të jetë muzika, sportet ujore dhe jeta e natës.
Pikërisht për këtë arsye, Skyscanner ka krijuar Paradise Guide, një mjet interaktiv që i ndihmon turistët të zgjedhin destinacionin që i përshtatet më mirë mënyrës së tyre të pushimit.
Përdoruesit fillimisht zgjedhin muajin kur planifikojnë të udhëtojnë dhe më pas përcaktojnë atmosferën ideale të plazhit: “i qetë dhe relaksues”, “i gjallë dhe social”, “miqësor për familjet” ose “aventurier”.
Më pas mund të përcaktojnë edhe shërbimet që u interesojnë më shumë, si shezlongët, rojet e plazhit, baret dhe restorantet apo sportet ujore.
Mjeti merr gjithashtu parasysh aeroportin e nisjes, nëse udhëtari preferon një destinacion të afërt apo një udhëtim më të gjatë, si dhe kohën që është i gatshëm të udhëtojë nga aeroporti deri në plazh.
Në fund, përcaktohet buxheti dhe sistemi sugjeron destinacionet më të përshtatshme, duke dhënë edhe informacion për muajt më të mirë për vizitë, temperaturën mesatare dhe kohëzgjatjen e fluturimit.
Tre plazhet më të mira në Britani
Skyscanner ka analizuar një sërë treguesish, nga temperaturat e ajrit dhe detit te disponueshmëria e shezlongëve dhe vlerësimet e turistëve, për të përzgjedhur disa prej plazheve më interesante.
Sandbanks Beach, Dorset
Në bregdetin jugor të Anglisë, Sandbanks Beach njihet për rërën e pastër dhe pjerrësinë e butë, duke e bërë të përshtatshëm për not, sporte ujore dhe familje.
Plazhi ka ruajtur prej vitesh statusin Blue Flag falë cilësisë së ujit dhe ambienteve të ofruara. Temperatura mesatare në sezonin e pikut arrin 20.8°C, ndërsa vlerësimi në Tripadvisor është 4.6. Nga aeroporti i Bournemouthit arrihet në rreth 25 minuta.
Botany Bay, Kent
Botany Bay është një nga plazhet më karakteristike të bregdetit të Kentit, i njohur për shkëmbinjtë e bardhë të shkumës dhe rërën e artë.
Në baticë të ulët shfaqen pishina të cekëta dhe zona shkëmbore që mund të eksplorohen, ndërsa vizitorët mund të ndjekin edhe një pjesë të Viking Coastal Trail.
Temperatura mesatare e sezonit të pikut është 20.3°C, ndërsa temperatura e detit arrin rreth 22.5°C. Plazhi ka një vlerësim 4.6 në Tripadvisor.
St Andrews West Sands, Skoci
Pranë qendrës së St Andrews shtrihet West Sands, një hapësirë rreth dy milje e gjatë me rërë të artë dhe duna.
Plazhi u bë i famshëm edhe nga filmi “Chariots of Fire”, ndërsa sot është i preferuar për shëtitje të gjata, lojëra në plazh dhe pamje panoramike të bregdetit.
Vlerësimi në Tripadvisor është 4.7, ndërsa temperatura mesatare në sezonin e pikut është 15.8°C.
Plazhet më të kërkuara në botë
Palm Beach, Aruba
Palm Beach është një nga destinacionet klasike të Karaibeve, me ujëra të ngrohta, diell gjatë gjithë vitit dhe një përzgjedhje të madhe restorantesh, baresh dhe aktivitetesh ujore.
Plazhi merr më shumë se gjysmë milioni kërkime në Google çdo muaj, duke dëshmuar popullaritetin e tij ndërkombëtar.
La Jolla Cove, Kaliforni
La Jolla Cove ofron një peizazh ndryshe nga plazhet tipike kaliforniane, me bregdet shkëmbor, ujëra të kthjellëta dhe një pasuri të madhe të faunës detare.
Pranë San Diegos, destinacioni është i preferuar për snorkeling, kajak dhe vëzhgimin e luanëve të detit. Ka një vlerësim 4.6 në Tripadvisor, bazuar në afro 14 mijë komente.
Siesta Key Beach, Florida
Me rërë të bardhë dhe ujëra në ngjyrë turkeze, Siesta Key Beach është një nga destinacionet më të njohura bregdetare të Floridës.
Plazhi ka një vlerësim 4.7 në Tripadvisor dhe rreth 135 mijë kërkime në Google çdo muaj. Vizitorët mund të shijojnë sporte ujore, restorante dhe hapësira të bollshme për relaks.
Plazhet më të nënvlerësuara
Për ata që kërkojnë destinacione më pak të frekuentuara, Skyscanner ka përzgjedhur edhe disa plazhe më pak të njohura, por me vlerësime të mira.
Embleton Bay, Northumberland
I rrethuar nga dunat dhe me rrënojat e kështjellës Dunstanburgh në sfond, Embleton Bay ofron një hapësirë të gjerë me rërë të artë, larg turmave të resorteve tradicionale.
Muajt nga qershori deri në shtator konsiderohen më të përshtatshëm për ta vizituar.
Rendezvous Bay, Montserrat
Arritja në Rendezvous Bay është pjesë e aventurës. Plazhi i izoluar mund të arrihet vetëm me varkë ose në këmbë.
Në destinacion turistët gjejnë rërë të bardhë, ujëra të kristalta dhe shumë më pak turma, duke e bërë atë një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë qetësi.
Castlerock Beach, Irlanda e Veriut
Castlerock Beach shtrihet për rreth një kilometër përgjatë bregut spektakolar Causeway Coast.
Me rërë të artë dhe pamje të gjera mbi Atlantik, plazhi është i përshtatshëm për shëtitje të gjata ose thjesht për të shijuar peizazhin larg turmave.
Me Paradise Guide, Skyscanner synon t’i largojë udhëtarët nga zgjedhjet standarde dhe t’i ndihmojë të gjejnë një destinacion që përputhet jo vetëm me buxhetin, por edhe me mënyrën se si duan t’i përjetojnë pushimet.


