I njohur për qëndrueshmërinë dhe rehatinë që ofron, pambuku përdoret sot më shumë se çdo tjetër fibër bimore dhe është një nga kulturat më fitimprurëse të bimëve jo-ushqimore në botë.
Sot kultivohen katër lloje kryesore pambuku në mbarë botën, por një prej tyre, Gossypium hirsutum, dominon me rreth 90% të prodhimit global.
Një studim i ri gjenetik gjurmon zbutjen e kësaj specieje të rëndësishme dhe zbulon se ajo është domestikuar rreth 4 deri në 7 mijë vjet më parë në pjesën veriperëndimore të gadishullit Jukatan në Meksikë. Në atë periudhë, në zonë jetonin fermerë të Epokës së Bronzit, shumë përpara shfaqjes së qytetërimit Maya.
Studiuesit arritën në këtë përfundim duke krahasuar gjenomin e varieteteve të kultivuara me bimë të egra nga Jukatani, Florida dhe ishujt e Porto Rikos dhe Guadelupes në Karaibe.
“Bimët e egra të pambukut janë shkurre drunore, shumë të degëzuara ose pemë të vogla. Janë jetëgjata, me lulëzim të rrallë dhe me lule, fruta dhe fara më të vogla krahasuar me varietetet e kultivuara”, tha për Reuters Jonathan Wendel nga Universiteti Shtetëror i Ajovës, bashkautor i studimit të publikuar në revistën PNAS.
Ai shtoi se fijet e pambukut janë në fakt qeliza të vetme të qimeve të farës, por përbëjnë një nga strukturat më të veçanta dhe të mahnitshme të bimëve.
Sipas studiuesve, “tekstilistët e hershëm i tjerrnin fijet me dorë dhe i përdornin për të endur pëlhura, rrjeta peshkimi, litarë dhe produkte të tjera”, tha Corinne Grover nga Universiteti Shtetëror i Ajovës.
Tkurrja e diversitetit gjenetik
Gossypium hirsutum u përhap në mbarë botën pas ardhjes së pushtuesve spanjollë në Amerikë në shekullin XVI. Sot, Kina, India, SHBA dhe Brazili janë prodhuesit më të mëdhenj.
Siç pritej, varietetet e sotme të kultivuara të pambukut kanë shumë më pak diversitet gjenetik krahasuar me paraardhësit e tyre të egër, një fenomen i zakonshëm tek speciet e domestikuara të bimëve dhe kafshëve.
Shkencëtarët paralajmërojnë se kjo ulje e diversitetit e kufizon aftësinë e specieve për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve mjedisore, si rritja e temperaturave për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas studimeve të mëparshme, një tjetër specie pambuku, Gossypium barbadense, që sot përbën rreth 5% të prodhimit global, mendohet të ketë origjinë nga Peruja ose Ekuadori.
Sasi më të vogla prodhohen edhe nga dy specie të tjera: Gossypium arboreum, me origjinë nga India, dhe Gossypium herbaceum, që vjen nga Afrika Sub-Sahariane dhe Gadishulli Arabik.
Në fund të shekullit XVIII, në SHBA u shfaqën makinat e para të përpunimit të pambukut, të cilat automatizuan ndarjen e farave nga fijet. Kjo e rriti ndjeshëm shpejtësinë e përpunimit dhe e bëri kultivimin e pambukut shumë më fitimprurës.
Sipas Grover, “pambuku ka një histori komplekse, kryesisht për shkak të lidhjes së tij me skllavërinë, shfrytëzimin e popujve indigjenë dhe zgjerimin e perandorive. Megjithatë, është një kulturë e përhershme, e ndërthurur me jetën e njerëzve në mbarë botën.”/mxh
