Last Updated on 03/02/2025 by adminfjala
Avokati Spartak Ngjela ndau sot (3 Shkurt) mendime për zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, rajon dhe gjeopolitikën ndërkombëtare në lidhje me faktorin shqiptar.
Ai e cilësoi Albin Kurtin si një antiamerikan dhe madje si një njeri që punon kundër interesave të Kosovës, teksa iu referuar deklaratës së Richard Grenell për deklaratën ndaj kryeministrit kosovar si “e drejtë”.
Politikani kujtoi se edhe marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk janë të mira dhe besonte se rolin kryesor e kishte kryeministri Edi Rama. Ai bëri thirrje që faktori shqiptar të rrisë pozitat në politikën ndërkombëtare, drejt Maqedonisë së Veriut, Çamërisë dhe më gjerë, madje të kërkohet shkollë shqipe në Greqi.
Fredi Belerin e cilësoi një ‘injorant’ që e përdori politika greke, e cila gaboi dhe tani është tërhequr nga ‘loja e kalamajve’ pasi e kuptoi. Ai nuk ndau konsiderata pozitive për kryepeshkopin e ndjerë Janullatos, pasi mendonte se qëllimi i ardhjes së tij ‘me forcë’ në Shqipëri ishte të dëmtonte Kishën Ortodokse shqiptare, por nuk ia doli dot.
Kurse për zgjedhjet në Shqipëri më 11 Maj, iu bashkangjit në parashikim dhe mendim rezultateve të sondazheve të Report TV si të drejta dhe se e majta do fitonte përsëri. Ai iu referua edhe informacioneve të ndara me të huajt, që konfirmonin fitoren e qeverisë për faj të kësaj opozite, me liderët aktualë ‘të pazhvilluar’ dhe që punojnë për “pushtetin personal”.
Këtu iu referua Sali berishës, duke kujtuar se nuk mund të vijë kurrë në pushtet një kryeministër apo të fitojë zgjedhjet një njeri që është shpallur ‘non grata” nga Amerika.
“Richard Grenell sulmon Albin Kurtin, se nuk është bashkëpunues me SHBA, bizneset amerikane po i bllokon. Kurti duket se është antiamerikan, ajo dihet, Grenell ka të drejtë. Amerika merr masat. Ai dihet ka veprimtari amerikane, unë e kam shkruajtur dhe thënë. Nëse je kryeministër në Kosovë dhe je antiamerikan, ose je kundër Amerikës ose kundër Kosovës. Të shohim si do eci”, u shpreh avokati për Report TV.
Por a mund të dorëhiqet Kurti dhe a mund të sanksionohet në të ardhmen Kosova?
“Ai me vullnet mbase jo, por nëse do ketë lëvizje natyrisht që do iki. Sasia e revoltave e ndikon situatën, duhet pritur për këtë, të shohim. Për sanksionet nuk mund të flasim me fantazi, do e shohim, është demokraci dhe vota e lirë por të gjitha këto ia rrëzojnë pikët Kurtit dhe se si do vijë çështja do shikojmë se si do avancohet”, thotë Ngjela.
Në lidhje me lëvizjet e fundit studentore në Serbi kundër Vuçiç, politikani dhe analisti shpjegon se regjimet nuk rrëzohen vetëm me kaq dinamikë.
“Nuk largohen diktatorët nga pushteti me marrëveshje. Duhet rritur lëvizja popullore, jo vetëm studentët, janë shumë pak ata dhe u duhet mbështetje. Studentët e ndjejnë që është regjim prapanik dhe duhet larguar, por duhet pritur çfarë do bëjnë partitë opozitare. Ata kanë një kryeministër rus, antiperëndimor, ai kurs ka qenë, doktrina e atij kursi njihet mirë, urrejtje. Do rrëzonin Perëndimin me urrejtje, si atëherë, por vetëm do dëmtojnë vetveten”, shpjegon ai.
Avokati mendon se Shqipëria nuk preket nga këto problematika, edhe pse thekson se marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk janë të mira.
“Pse duhet të ketë probleme? Ata duan marrëveshje. Trump ka ardhur për të hyrë në histori dhe për të zgjidhur konfliktet e mëdha. Konflikti Serbi me Shqipëri është i madh, por a do ta zgjidhi dot? Nuk bëhet siç bëjnë këta tanët që të jepet gjysma e territorit. Kosova është e sigurt, ka dalë me luftë dhe ka bazën amerikane. Kosova nuk lëviz. Por çështja është a do krijohet një relaks në Kosovë, për shqiptarët, për të krijuar bindjen se janë të sigurt. Ata duan të shohin prosperitetin e vendit të tyre si qytetarë të lirë, por do e shohim. Por e kam thënë dhe e them se nuk është e mirë marrëdhënia mes Tiranës dhe Prishtinës. Se kush e ka, gjejeni ju por unë mendoj se është Rama druri i shtrembërt. Nuk ka marrëdhënie juridike, nuk ka raporte mes dy parlamenteve dhe nuk ka lidhje mes dy shteteve shqiptare. Por ke politikën sllave që dy shtete shqiptare bëhen të forta, ndaj duhet parë edhe kjo politike serbe”, nënvizon ai.
Avokati vë theksin te lëvizja shqiptare në rajon, pasi numrat flasin vetë dhe mund të jenë faktor për një Shqipëri të Madhe, duke kujtuar edhe Çamërinë.
“Do shohim si do eci politika shqiptare drejt Maqedonisë dhe Kosovës. Pritet të dalin lëvizje edhe për Çamëri. Deri tani 1 e 3 është marrë, bazuar në marrëveshjet e vitit 1900 të fuqive të mëdha. Deri tani vetëm Kosova ka dalë, një e treta pra, Maqedonia ende, janë 1 mln shqiptarë, po Mali i Zi? Po Çamëria, nuk e dimë. Nuk e dimë se cila është edhe ideologjia e Ramës në këtë aspekt. Pyetja që kam është a do vijojë me këtë intensitet marrëdhënia amerikano-shqiptare? Se ata e kanë dhënë Kosovën, është pjesë e borxhit që na e kanë pasur pushtuesit”, thotë Ngjela.
Në lidhje me politikën etnike greke ndaj shqiptarëve, avokati e lë të qartë se ata gabuan me Fredi Belerin, duke u përpjekur që të krijonin çështje, teksa e etiketon eurodeputetin si “injorant”.
“Greqia e kuptoi se ajo ishte lojë politike kalamajsh, që interesohet në zonën më shqiptare të Shqipërisë me një injorant, me një hajvan. Tani e kuptuan dhe janë në tërheqje. Ata e kanë mësuar se Labëria e ka ruajtur Shqipërinë e jugut. Ata nuk kërcënojnë dot, ata janë tërhequr. Pyetja është se çfarë do bëhet me Çamërinë, arvanitasit, pjesën atje. I ka trembur shumë gjuha shqipe, se ia dinë forcën. Ne këtu s’ia dimë forcën por ata e dinë se e kanë mbi shpinë. Është një nga gjuhët më të vjetra gjuha shqipe, mendimi Petro Zhejit po realizohet, edhe gjuhëtarë ndërkombëtarë. Ai e ka studim të jashtëzakonshëm, kjo i bën nder personalitetit të shqiptarit. Nëse flasin shqip shqiptarët shkojnë në gjyq. Gjuha shqipe është arma më e fortë shqiptarëve, edhe Rilindasit tanë e kuptuan që në atë kohë, ishte forca e gjuhës”, analizon avokati.
Kurse për kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos, shprehet se qëllimi i tij ishte të dëmtonte Kishën Ortodokse shqiptare, por nuk ia doli dot.
E cilësoi “krizë morali” ardhjen e tij në Shqipëri pas vitit 1990 dhe se e donte në krizë kishën shqiptare ortodokse. Por Ngjela ngre pyetjen pse nuk ka shkolla shqipe në Greqi?
“Ardhja e Janullatosit ishte krizë morale në Shqipëri, po nuk i bëri gjë ortodoksisë shqiptare. Ku e dinte ai se çështja shqiptare kishte lindur nga arbëreshët. Por një gjë e them se na duhet një doktrinë e brendshme, që nuk e kemi. Janullatos ishte grekomani më i madh që ka hyrë në Shqipëri me forcë, donte psalme greqisht, s’e bëri dot, donte kishë greke, nuk e arriti dot. Janullatos e donte në krizë kishën ortodokse shqiptare. Kjo doktrinë ka falimentuar. Çështja është po shqiptarët? E dini që s’ka shkolla shqiptare në Greqi, çfarë bën kryeministri, apo dredh tespiet. Pse nuk ka shkolla shqipe në Greqi. Le që ku ka grekë atje, ata janë arvanitas. Nuk na kanë mposhtur dot se kanë pasur forcën e gjuhës shqipe”, thotë ai./kb