Procesi i verifikimit të dëmeve nga përmbytjet e ditëve të fundit në fshatin Ferras ka nisur sot në 11 janar, por ka shkaktuar debate mes banorëve dhe autoriteteve.
Kryeplaku i fshatit, Zani Hyka, pretendon se verifikimi nuk po bëhet në mënyrë të drejtë, duke u shprehur i shqetësuar për mënyrën e evidentimit të dëmeve. Katër grupe komisionesh kanë dalë në terren për të konstatuar dëmet, duke operuar si brenda ashtu, edhe jashtë argjinaturës për të evidentuar zonat më të prekura nga uji.
Sipas të dhënave paraprake, deri tani janë evidentuar rreth 120 banesa të prekura, ku dëmet nuk kufizohen vetëm në ambientet e brendshme, por përfshijnë edhe oborre, magazina, pajisje bujqësore dhe infrastrukturë ndihmëse. Në disa raste, uji ka depërtuar thellë në banesa, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Puna e komisionerëve fillimisht ka nisur brenda argjinaturës, ku situata paraqitet më problematike për shkak të qëndrimit të ujit për disa orë, ndërsa më pas do të vijojë edhe në zonat e dëmtuara nga vërshimi i kanalit të Martines, i cili ka përmbytur pjesë të tëra banimi.
Komisionerët po dokumentojnë çdo rast me procesverbale, fotografi dhe të dhëna të detajuara, që do t’i shërbejnë institucioneve përkatëse për hartimin e raportit përfundimtar dhe vlerësimin e masave të nevojshme për ndihmë dhe dëmshpërblim. Autoritetet lokale bëjnë me dije se procesi do të vazhdojë edhe ditët në vijim dhe u bëhet thirrje banorëve të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo dëmtim të shkaktuar nga përmbytjet. Situata në zonë mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa strukturat e emergjencave janë në gatishmëri për çdo nevojë të menjëhershme./KM
