Kreu i PL-së Ilir Meta ka komentuar mbi nismën ligjore për të shmangur pezullimin e anëtarëve të qeverisë.
Sipas Metës është një heqje maskash dhe një sjellje tipike e diktatorëve afrikanë që pasi vjedhin çmendurisht pasuritë e popujve të tyre, duan të garantojnë përjetësinë e pushtetit të tyre.
Meta thotë se Rama do ketë fundin e akrepit.
“Si një heqje maskash meqenëse festat e karnavaleve sapo kanë përfunduar.
Si një sjellje tipike e diktatorëve afrikanë që pasi vjedhin çmendurisht pasuritë e popujve të tyre, duan të garantojnë përjetësinë e pushtetit të tyre më shumë se sa një mënyrë për të gëzuar pasuritë dhe diamantet e vjedhura për të garantuar paprekshmërinë nga drejtësia për veten dhe familjarët e tyre.
Rama ka karakterin dhe do ketë fundin e akrepit. Cilido që ka bërë dhe do të bëjë bretkosën duke e ndihmuar për të shtyrë ditët e tij në pushtet, do ketë një fund të merituar për vete.
Edhe nëse Rama do i kishte legjitime 84 votat për të ndryshuar Kodin Penal, ato jo vetëm do të ishin të njëanshme dhe në kundërshtim me frymën e ndryshimeve kushtetuese të 22 korrikut 2016, por edhe në kundërshtim me ndryshimet e vitit 2012 për të dobësuar imunitetin e të zgjedhurve dhe funksionarëve përpara drejtësisë.
Aq më tepër, të gjithë e dinë se një pjesë e madhe e mandateve të tij janë të vjedhura hapur edhe falë mosveprimit të drejtësisë, ndaj krimeve elektorale.
Shikoni në Kosovë se sa komisionerë u proceduan dhe dënuan për ndërhyrje në procesin e numërimit?
Po në Shqipëri?
Ndaj jemi kaq larg demokracisë funksionale dhe llogaridhënies në raport me Kosovën, që dje festoi 18-vjetorin e Pavarësisë.
Prandaj, vetëm në vitin e fundit kemi humbur 11 vende në renditjen botërore të Transparency Internacional lidhur me korrupsionin.
Me këto ndryshime që kërkon të bëjë ai, jo vetëm që nuk do t’i shpëtojë drejtësisë popullore, por është vetëshpallur botërisht si kryehajduti i sektit rilindas që tani ka tmerr edhe nga drejtësia që kapi vetë në mënyrë antikushtetuese”, thote Meta. /Kb
