Last Updated on 10/12/2025 by Kesjana
Imazhi i një imami lidhet gjithnjë me xhaminë apo xhyben, por në kohët moderne një imam mund të ketë rrjete sociale, të bëhet viral e madje të ketë një podcast! Ahmed Kalaja është imami që ka zgjedhur t’u drejtohet besimtarëve, por jo vetëm, përmes dritares së vogël të ekranit që sot na ndjek ngado.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ai thotë se nevoja lindi për të qenë pranë njerëzve dhe për ta bërë fenë sa më të prekshme për ta. Por veç besimit, ai pyetet edhe për një mori situatash të tjera, nga problemet familjare te gjërat intime në çift dhe ka një përgjigje për gjithçka.
Ahmed Kalaja: Ndonjëherë shihet feja si diçka shumë e largët, por faktikisht ka ardhur për njerëzit.
Ahmed Kalaja: Ideja është si ta afrojmë besimin te njerëzit. Trendi dhe prirja është që njerëzit duan të besojnë, kanë disa besime që janë të gabuara ose kanë shumë problematika që kanë parë te shakatë, gallatat, mënyra e komunikimit, thjeshtësia, kanë parë që mund të gjejnë përgjigje.
Blendi Fevziu: Me aq sa kam parë unë, njerëzit të kanë zhveshur vetëm nga predikimi i besimit, të kanë kthyer edhe doktor, psikolog, të pyesin për 100 gjëra, edhe për ato gjërat e Uindit kështu që ti mund t’i kalosh ca te Uindi, edhe për ato të pyesin!
Ahmed Kalaja: Ne japim përgjigje të përgjithshme, nuk futemi në detaje. Për shembull, ka probleme vjehrra me nusen, të shkojnë tek Uindi?
Blendi Fevziu: Jo, vjehrra me nusen nuk e zgjidhin dot.
Ahmed Kalaja: Hoxha e zgjidh atë muhabet!
Blendi Fevziu: Si e zgjidh mo burrë se vetëm vjehrrën me nusen nuk i ka zgjidhur asnjeri, ka 2 mijë vjet! Ti thua e zgjidha unë, si e zgjidhe?
Ahmed Kalaja: Duhet djali të bëjë balancën, ia çojmë peshën djalit, ai duhet të bëjë balancën.
Blendi Fevziu: E zgjidh dot?
Ahmed Kalaja: E zgjidh!
Blendi Fevziu: Kush është pyetja më e çuditshme që të kanë bërë në jetën tënde?
Ahmed Kalaja: Janë shumë pyetje të çuditshme, sidomos ato që kanë të bëjnë me besëtytnitë, janë ekstrem shumë.
Imami thotë se deri më tani kjo metodë ka rezultuar e suksesshme. Në Instagram ai numëron 47 milionë njerëz që ndjekin videot e tij dhe 34 milionë në Facebook. Komunikimi i tij është i përjavshëm, por poston edhe video të tjera të shkurtra në rrjetet sociale./kb
