Nga Leonard Veizi
Në Shqipërinë tonë me 300 ditë diell, mjafton të bjerë një shi, dhe menjëherë nis spektakli ynë kombëtar: përmbytjet, shembjet skarpatesh, bllokimet, panik dhe justifikime. Një vend që mburret me “investime strategjike” e “standarde evropiane” bie në gjunjë përballë një reje të zezë që kalon nëpër qiell. Sikur natyra të kishte bërë marrëveshje me kompanitë e tenderave: t’i nxjerrë defektet sapo të hapë rubinetin.
Kujë e zezë.
Shirat e vjeshtës sollën problemet e para: rrugët nacionale na u shndërrohen në lumenj. Aksi Qukës–Qafë Plloçë morri pamjen e një kanioni të improvizuar për sporte ekstreme. Rruga që të çon për Ersekë, pasi u shemb e u riparua, sërish ka marrë krisje, gati për shembjen e radhës. Në akse të tjera rrugore faqet e maleve, të lenë po atë shijen e hidhur të korrupsionit që nuk nuk njeh ulje të rendimentit. Ashtu si çdo vit, masivet e dheut rrëshqasin nga skarpatet sikur të ishin lodra plasteline, vendosur aty për t’u zhdukur me shiun e parë.
Dhe pastaj vjen frika më e madhe: të marrësh rrugën diku. Sepse gjithmonë ka një “por”. Por rruga mund të jetë e bllokuar. Por ura mund të ketë pësuar krisje dhe mund të përfundosh në Shkumbin a në Devoll. Por masivi i dheut mund të të presë para makinës. Por tuneli i Llogarasë, që një herë hapet e një herë mbyllet, është kthyer në legjendë urbane për problemet e tij. Tuneli i Skarficës gjithashtu ka nxjerrë probleme.
Ore, po nga duhet të kalojmë?
Një vend i tërë, i mbajtur peng nga reshjet. Jo nga stuhitë, jo nga përmbytjet biblike… por nga shiu stinor, atë që e dëshirojmë aq shumë se na mbush rezervuarët e hidrocentraleve dhe ato për vaditjen e tokave bujqësore.
Në një botë normale, kur infrastruktura pëson dëmtime, përgjegjësia bie mbi ata që e kanë ndërtuar dhe ata që e kanë miratuar. Në një botë normale, dikush futet në burg, dikush paguan, dikush detyrohet të japë llogari. Por Shqipëria rrallë takohet me botën normale. Këtu të gjithë kanë nga një justifikim të gatshëm. Disa thonë se reshjet ishin të pazakonta. Disa të tjerë se toka ishte “ca si e butë vetë” ndaj rrëshqiti. Të tjerë thonë: “Këto ndodhin kudo”.
Hajde justifikime, hajde.
Mandej del ai që bërtet më fort se të gjithë, ai që në çastin e parë duket gati të kërkojë llogari, por që sa hap e mbyll sytë, e kthen pllakën: “Këto janë normale, natyra bën të vetën…” Edhe kur vdesin njerëz kështu thotë ai: Çështje natyre, të gjithë do vdesim një ditë. Por si tha xha Braho Gorica tek filmi televizin “Gjuetia e fundit”:
-A s’do ta jepje ti shoku Braho jetën për Partinë? Se vetë ke thënë.
-A po kam thënë o kam thënë. Por ta japim jo të na i marrin.
Sa më shumë britma, aq më shumë zbulohet mjeshtëria e artit të justifikimit. Edhe kur rrugës i janë hedhur para me thasë. Edhe kur projekti ka pasur më shumë dosje me shkresa sesa beton. Edhe kur ekspertët paralajmëruan gjithçka… prapë fajtor del shiu.
Kështu rrëshqet shteti. Rrokulliset bashkë me dheun e skarpatave. Sepse kur nuk ka përgjegjësi, natyra kthehet në alibi. Dhe ne mbetemi me rrugë të çara, me akse të bllokuara, me tunele që nuk mbarojnë kurrë, me ura që lëkunden – duke pritur shiun tjetër që të na tregojë sërish të gjitha plagët që nuk i mjekon askush.
Në fund, ndoshta duhet t’i themi faleminderit reshjeve. Sepse vetëm ato nuk mashtrojnë. Vetëm ato nuk bëjnë tendera. Vetëm ato tregojnë të vërtetën lakuriqe: sa pak vlen infrastruktura jonë kur ka më shumë letra sesa beton, më shumë fjalë sesa punë dhe më shumë alibi sesa përgjegjshmëri.
