Last Updated on 09/12/2025 by EL
Kina po kryeson tregtinë botërore me një suficit rekord prej 1.076 trilion dollarësh, duke sfiduar SHBA-në, BE-në dhe çdo mjet proteksionist të përdorur vitet e fundit. Të dhënat zyrtare u publikuan të hënën nga Administrata e Përgjithshme e Doganave të Kinës.
Pavarësisht tarifave të vendosura nga administrata Trump, Pekini ka forcuar pozicionin e tij global. Eksportet u rritën me 5.4% në 11 muajt e parë të vitit, ndërsa importet ranë lehtë – duke krijuar hapësirë për një tepricë të pashembullt.
Në nëntor, vetëm për një muaj, Kina shënoi 112 miliardë dollarë suficit, ndërsa gjatë 2024-ës shifra ishte 990 miliardë dollarë.
Si e arriti Kina këtë dominim?
Sipas analizave ekonomike, çelësi qëndron te çmimet jashtëzakonisht konkurruese dhe zhvendosja strategjike e eksporteve drejt Azisë Juglindore.
Shumë nga produktet që më parë shkonin drejt SHBA-së, tani kalojnë fillimisht në vendet e rajonit dhe më pas rieksportohen drejt tregut amerikan.
Ekonomia amerikane vazhdon të ketë kërkesë të lartë, gjë që e mban të hapur derën e rieksporteve – edhe kur marrëdhëniet tregtare me Pekinin janë të tensionuara.
BE-ja në alarm: Eksportet kineze drejt Evropës rriten me 14.8%
Evropa është goditur gjithashtu nga ky vrull. Në nëntor, eksportet kineze drejt BE-së patën një rritje të fortë, pjesërisht për shkak të zhvlerësimit të juanit kundrejt euros.
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi tarifa të reja ndaj Pekinit nëse Kina nuk redukton suficitin gjigant tregtar me Unionin. Vitin e kaluar, Kina shiti në BE mbi 300 miliardë euro më shumë sesa bleu.
Një nga shqetësimet kryesore është industria automobilistike. Në nëntor, eksportet kineze të makinave në tregun global u rritën me 53%, një goditje e drejtpërdrejtë për industrinë gjermane.
Dominimi pritet të thellohet
Sipas Morgan Stanley, Kina pritet ta rrisë pjesën e saj në tregtinë globale të eksporteve në 16.5% deri në vitin 2030, duke u bërë edhe më e fortë në sektorë strategjikë si:
-automjetet elektrike
-bateritë
-robotika
Ekspertët e Capital Economics vlerësojnë se devijimi i tregtisë – pra kalimi i mallrave nëpër vendet e treta për të shmangur tarifat amerikane – do të vijojë të zgjerohet edhe vitin e ardhshëm, duke e ngritur suficitin e Kinës në nivele të reja./E.T
