Me një atmosferë festive dhe pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, në qendër të Bulqizës u ndezën mbrëmjen e sotme dritat e pemës së fundvitit, duke shënuar nisjen zyrtare të festimeve të dhjetorit në qytet. Ceremonia u shoqërua me muzikë, program artistik për fëmijë dhe aktivitetet e para kulturore që do të vijojnë përgjatë gjithë muajit.
Pema, e dekoruar me qindra drita shumëngjyrëshe dhe ornamente festive, u kthye menjëherë në pikën kryesore të vëmendjes, ku familje të shumta dhe fëmijë të vegjël shijuan momentin e ndezjes së saj. Ndezja e dritave u përshëndet edhe nga përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët uruan qytetarët për më shumë gëzim, solidaritet dhe shpresë në prag të festave.
Qendra e qytetit është zbukuruar me instalacione ndriçuese, figura dekorative dhe elemente simbolike të fundvitit, duke krijuar një ambient të ngrohtë e mikpritës për banorët dhe vizitorët. Aktivitetet festive do të vijojnë në ditët në vijim me koncerte, aktivitete për fëmijë dhe nisma sociale.
Ndezja e dritave të pemës së fundvitit është tashmë një traditë e dashur për Bulqizën, që mbledh bashkë komunitetin dhe sjell frymën e festave në çdo familje. m.p.
