Last Updated on 21/05/2026 by Kesjana
Nga Anila Basha
Ka njerëz që, edhe pasi largohen nga kjo botë, vazhdojnë të jenë mes nesh. I gjen në bisedat e tavolinave, në copëza kujtimesh, në rrëfime e në veprat që kanë lënë pas. Ndoshta prandaj shqiptarët kanë atë shprehjen aq të ndjerë ngushëlluese: “Të rrojmë e ta kujtojmë përherë”. Dhe ky është pikërisht rasti i Artan Lames, publicistit, shkrimtarit, historianit, studiuesit, koleksionistit, shtetarit, por mbi të gjitha, njeriut. Mikut të të gjithëve, majtas e djathtas. Eruditit të pakompromis dhe shpirtit të lirë.
Më 23 maj bëhet plot një vit nga ndarja e tij nga jeta, e megjithatë duket sikur koha ka kaluar shumë shpejt. Dhimbja e asaj mesdite të 23 majit në një spital të Mynihut u zëvendësua shpejt nga përpjekjet e jashtëzakonshme të familjes, mbi të gjitha të bashkëshortes Mirela dhe vajzës Lisia, e cila la studimet në Milano për t’u kthyer në Shqipëri; por edhe të miqve të tij më të afërt, Tan Shkrelit, Tan Dumit, Bajram Peçit, dhe shumë të tjerëve, për të përmbushur një më një amanetet që Tani kishte lënë të shkruara me kujdes në testamentin e tij.
Ishte e habitshme mënyra sesi ai kishte menduar çdo detaj, me saktësinë e një ore zvicerane. Kishte përcaktuar gjithçka: kush do të merrej me çfarë, si duhej të realizoheshin gjërat dhe çfarë dëshironte të ndodhte pas largimit të tij nga kjo jetë. Testamentin e ruan Mirela, bashkëshortja e tij, si një dëshmi e qartë e mendjes së kthjellët dhe e përgjegjësisë që e karakterizonte.
Meraku i tij më i madh mbeti Muzeu. Nuk arritëm ta përfundonim, jo për mungesë vullneti, por për arsye e rrethana që nuk vareshin prej nesh. Shkuam shumë pranë realizimit, por u ndalëm në procedura burokratike. Megjithatë, shpresa mbetet që ai muze të marrë jetë, ashtu siç do të dëshironte vetë Lame: për t’u treguar vizitorëve, turistëve dhe shqiptarëve thesaret e rralla të koleksionit të tij.
Jam e bindur se Lamja, atje lart, do ta kishte gati në buzë shprehjen e tij karakteristike: “Eh mor të uruar, një punë s’e bëni dot për së mbari”! Dhe, si gjithmonë, do të kishte të drejtë.
Ndjehem fatlume që kam në telefonin tim pamjet e fundit të Tanit kur ishte ende gjallë. Më thirri në Muze, në fillim të majit 2025. Ishte i lodhur, lëvizte ngadalë, në pritje të nisjes drejt Mynihut për operacionin e vështirë. Donte të më shpjegonte gjithçka për muzeun, deri ku kishin arritur punët.
Kur hyra aty, ai ishte i entuziazmuar për derën e madhe të vendosur në sallën kryesore. Dera origjinale e godinës së ish-Gardës nuk ekzistonte më, por mbi bazën e fotografive ishte realizuar një derë e re, identike me të vjetrën.
Nxora telefonin dhe fillova ta filmoja, ndërsa ai rrëfente me pasion mënyrën sesi e kishte konceptuar muzeun: pavionet, objektet që do të vendoseshin në secilin prej tyre, flamujt shqiptarë, medaljet, dekoratat, urdhrat, uniformat dhe çdo send tjetër me vlerë historike. Fliste me hollësi të jashtëzakonshme. Atëherë nuk e kuptova se ai po më linte një dëshmi të fundit. Edhe pse nuk i pëlqente të filmohej kur fliste për këto gjëra, atë ditë nuk tha asnjë fjalë. Më la ta regjistroja. Mbase sepse donte të mbetej aty, në atë video, përgjithmonë.
Prej një viti e ruaj atë filmim me frikën se mos një ditë, pa dashje, e fshij. Tani, ai është bërë gati për t’u shfaqur në simpoziumin përkujtimor që do të organizojmë më 21 maj, në një nga sallat e hotelit 15-katësh. Do të jetë një dokument i rrallë, ku Lamja vetë tregon çfarë ëndërronte të realizonte me muzeun që do të përmblidhte punën e tij titanike për dokumentimin e historisë shqiptare.
Në mungesë të hapjes së muzeut në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta, nën kujdesin e Lisias, Bajram Peçit, Anna Shkrelit dhe shtëpisë botuese Berk, do ta kujtojmë Artan Lamen edhe përmes botimit pas vdekjes të librit të tij më të ri, “Shqipni e Harrume – Një aventurë shqiptare përmes fotografive”.
Libri sjell copëza shënimesh të vetë Lames mbi fotografi-dokument të periudhave të ndryshme historike. Në të ndihet mjeshtëria e tij në përdorimin e fjalës, kujdesi për traditën, aftësia për të rindërtuar kontekstin e çdo fotografie, por edhe humori e komentet e tij të mprehta, pa të cilat nuk mund të imagjinohej.
Dhe kështu, pa bërë asnjë hap pas, do të vazhdojmë të përmbushim amanetet e tij. Sepse, siç më thoshte shpesh Lamja: pas ikjes nga kjo dynja, ajo që mbetet është vepra!/kb
