Last Updated on 04/04/2026 by Anisa
Një situatë e raportuar si incident gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me Asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë nr. 7 në Tiranë ka shkaktuar debat në media dhe rrjetet sociale. Sipas raportimeve, pas një momenti tensioni ku Garda e Republikës dyshohet se ka penguar hyrjen e disa pjesëmarrësve, mes tyre edhe deputeti Erion Braçe, u ngritën interpretime të ndryshme mbi atë që ndodhi.
Por vetë Braçe ka reaguar, duke mohuar kategorikisht se ka pasur ndonjë incident.
“Nuk ka pasur asnjë incident! Dyert ishin hapur; nuk hyra unë dhe nuk hyra se mu duk se do t’i bëja karshillëk partisë sime!”, u shpreh ai.
Braçe theksoi se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e sjelljeve që, sipas tij, krijojnë konflikt apo tension brenda partisë.
“Dhe unë nuk jam ky, nuk i kam bërë kurrë karshillëk partisë sime! Nuk kam bërë kurrë këtë lloj politike – karshillëk, konflikt, sherr, fyerje, shpërfillje, relativizim, nënvlerësim, thashetheme… E neveris këtë politikë!”, vijoi ai.
Deputeti socialist shtoi se nuk e fajëson median për mënyrën e raportimit, por theksoi se përgjegjësinë e sheh brenda vetë partisë.
“Por nuk i vë faj medias, por të njëjtëve në PS që shpërndajnë këto lajme!”, u shpreh Braçe.
Në fund të reagimit të tij, ai nënvizoi se qasja e tij politike ka qenë gjithmonë e fokusuar te shërbimi publik dhe qytetarët.
“Prej një jete kam bërë politikën tjetër, atë që është shërbim publik, që ka në qendër njerëzit dhe shërbimin konkret për ta”, deklaroi ai.
Reagimi i plotë:
