Inteligjenca Artificiale po transformon me shpejtësi sistemet e kujdesit shëndetësor në Evropë, por mungesa e rregulloreve dhe udhëzimeve për përdorimin e saj po ngre shqetësime serioze, ka paralajmëruar drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Hans Henri P. Kluge.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Lisbonë, Kluge tha se ekziston një hendek i madh mes përhapjes së teknologjive të Inteligjencës Artificiale dhe qeverisjes së tyre. “Ky hendek midis zbatimit dhe rregullimit është sfida kryesore e Inteligjencës Artificiale në shëndetësi. Sa më gjatë të zgjasë kjo situatë, aq më e lartë do të jetë kostoja njerëzore”, u shpreh ai.
Sipas Kluge, algoritmet e paragjykuara mund të çojnë në diagnoza të gabuara, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve dhe duke krijuar pasoja reale në praktikën mjekësore.
Të dhënat e OBSH-së tregojnë se dy të tretat e 53 vendeve të rajonit evropian tashmë përdorin mjete të Inteligjencës Artificiale për diagnostikim, ndërsa rreth gjysma kanë chatbot-e për pacientët të mbështetur nga AI. Megjithatë, vetëm një në 12 vende ka një strategji të posaçme për qeverisjen e kësaj teknologjie.
Raporti thekson gjithashtu se vetëm 8% e vendeve kanë një strategji kombëtare për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shëndetësi, ndërsa afro 40% nuk disponojnë udhëzime etike për përdorimin e saj në institucionet shëndetësore. Sfida mbetet edhe në arsimimin e profesionistëve të shëndetësisë. Vetëm një në pesë vende ofron trajnim për Inteligjencën Artificiale gjatë studimeve, ndërsa vetëm një në katër vende siguron trajnim për personelin shëndetësor gjatë ushtrimit të profesionit./ad
