Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zbuluar detaje nga agjenda e opozitës shqiptare në SHBA, në një intervistë për Euronews Albania.
Mediu tha se ftesa për të marrë pjesë në Konventën Republikane ka ardhur nga IDU – organizata ndërkombëtare që bashkon partitë e djathta, ku bën pjesë edhe Partia Republikane Amerikane.
“Në ftesën e kemi marrë nga IDU-ja. Është një organizatë ndërkombëtare e cila përfaqëson partitë e djathta ku është dhe partia republikane amerikane”, tha Mediu.
Ai konfirmoi se do të udhëtojë drejt Teksasit së bashku me kreun e PD, Sali Berisha, dhe se takimet jashtë konventës nisin që nesër në mëngjes.
“Ndërkohë ne sot në darkë udhëtojmë drejt Teksasit dhe kemi që nesër në mëngjes takimin me personalitete të rëndësishme të kongresit amerikan dhe të senatit amerikan“, u shpreh ai.
Sipas Mediut, axhenda është shumë e ngarkuar dhe përfshin dreka e takime me kongresmenë, senatorë dhe drejtues të lartë të Partisë Republikane.
“Opozita shqiptare duhet të ndërtojë një raport institucional shumë të rëndësishëm me partinë republikane amerikane dhe kongresin amerikan“, theksoi Mediu, duke shtuar se është parashikuar edhe një takim me komunitetin shqiptar në Dallas./ad
