Last Updated on 23/04/2026 by EL
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.
“Rexhep Qosja ishte zëri i ndërgjegjes së zgjuar kombëtare: bashkë me të merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj, të cilët për kombin folën me zë që kumbon larg dhe tejkalon kufizimet e kohës.
Ai zë vend nderi në historinë e mendimit shqiptar, pranë rilindësve; zë vend nderi në letërsinë shqipe, veçmas në fushën e historisë së letërsisë, ku vepra e tij tashmë është klasikë dhe referencë e patejkalueshme”, tha Kraja përmes një statusi në Facebook.
“Për shumë gjëra nuk jam pajtuar me Rexhep Qosjen, por gjithmonë e kam çmuar mendimin e tij, sepse ai edhe kur gabonte, nuk mund të ishte gjë tjetër pos patriot i zhgënjyer. Gjithmonë kam konsideruar se ai thoshte të vërteta të mëdha për kombin, për identitetin, për letërsinë dhe historinë tonë.
Sekush në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka punë ta pastrojnë ndërgjegjen e tij, pse ia mbyllën derën e këtij institucioni Rexhep Qosjes. Duhet të gjejnë kurajë dhe ta pastrojnë ndërgjegjen edhe ata që shpifën, e shkelën dhe u përpoqën ta njollosnin emrin e tij.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Rexhep Qosjen!”./et
