Akuzat e Apple: përpjekjeje agresive nga OpenAI për të rekrutuar punonjës të Apple dhe për të nxjerrë informacione konfidenciale.
Apple akuzoi OpenAI, kompaninë që qëndron pas ChatGPT dhe dy ish-punonjës të saj për përvetësimin e paligjshëm të sekreteve tregtare, me qëllim që të përfitonte OpenAI në hyrjen e saj në tregun e pajisjeve për konsumatorë. Padia paraqet një tablo të një përpjekjeje agresive nga OpenAI për të rekrutuar punonjës të Apple dhe për të nxjerrë informacione konfidenciale, me synimin për të ndërtuar pajisjen e vet.
Apple pretendon, se sekretet tregtare të kompanisë janë përdorur në mënyrë të paligjshme për të mbështetur projektin e OpenAI në fushën e pajisjeve elektronike për konsumatorët.
Padia është drejtuar kundër: një ish-kryeinxhinieri të sistemeve elektrike të Apple, një ish-zëvendëspresidenti për dizajnin e produkteve të iPhone dhe Apple Watch, OpenAI Foundation, OpenAI Group PBC dhe io Products.
“Ky rast ka të bëjë me ish-punonjës të Apple që kanë vjedhur sekretet tregtare të Apple për përfitimin e OpenAI,” thuhet në padi. “Apple e ngre këtë padi për t’i dhënë fund kësaj sjelljeje.”
Çfarë dihet për padinë?
Padia është depozituar në një gjykatë federale në Kaliforni.
Apple pretendon se njëri nga të pandehurit nuk e ka kthyer laptopin e punës të dhënë nga kompania dhe më pas ka shfrytëzuar një defekt në sistemin e autentifikimit për të hyrë në rrjetin e brendshëm të Apple, duke shkarkuar “dhjetëra skedarë konfidencialë të lidhur me pajisjet harduerike të Apple”.
Sipas Apple, i pandehuri tjetër i ka dërguar vetes me email informacione mbi furnitorët e Apple dhe përmbledhje të brendshme të industrisë përpara largimit të tij nga kompania.
“Në çdo nivel, nga anëtarët e stafit teknik deri te Drejtori Kryesor i Harduerit, dhe në koordinim me partnerët e biznesit, OpenAI ka vjedhur sekretet tregtare dhe informacionin konfidencial të Apple,” thuhet në ankesën prej 41 faqesh.
Nga bashkëpunëtorë në konkurrentë
Padia përshkallëzon ndjeshëm tensionet mes dy gjigantëve të teknologjisë, pas muajsh mosmarrëveshjesh dhe pas vitesh bashkëpunimi.
Më parë, Apple kishte lejuar përdoruesit e saj të merrnin përgjigje nga ChatGPT përmes Siri-t, si dhe u kishte dhënë përdoruesve të iPhone mundësinë të regjistroheshin për abonime ChatGPT direkt nga menuja e cilësimeve të iOS.
Vitin e kaluar, OpenAI bleu kompaninë e pajisjeve harduerike io Products, të themeluar nga ish-dizajneri i Apple, Jony Ive, në përpjekje për të zgjeruar aktivitetin e saj përtej softuerit dhe për të hyrë në tregun e pajisjeve për konsumatorë.
OpenAI nuk ka sqaruar ende qartë çfarë lloj pajisjeje po zhvillon. Kompania e ka përshkruar projektin vetëm si një përpjekje për të gjetur një mënyrë të re ndërveprimi me inteligjencën artificiale, përtej “produkteve dhe ndërfaqeve tradicionale”./ DW/kb
