Leon Panetta, ish-shef i Pentagonit dhe ish-drejtor i CIA-s, ka sulmuar ashpër Steve Witkoff-in, të cilin nuk e quan më as të dërguar të posaçëm të presidentit amerikan për Ukrainën. Sipas tij, pas provave të favorizimit të Rusisë nga administrata amerikane, është vetë Donald Trump që duhet të ndryshojë qasje.
“Nëse duam një paqe të qëndrueshme dhe të fortë që mbron interesat tona kombëtare, tani është e domosdoshme të rritet presioni ndaj Putinit”, tha Panetta.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë një armëpushim si kusht për negociata, duke paralajmëruar se në rast refuzimi duhet të shqyrtohet furnizimi i Ukrainës me raketa me rreze të gjatë. Panetta kërkon që edhe Evropa të veprojë me unitet dhe thotë se kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e dëgjuar nga Trump, duhet jo vetëm të mbështesë planin amerikan për armatimin e Kievit, por edhe të japë gatishmëri për të dërguar trupa nëse krijohet një forcë paqeruajtëse.
Panetta nënvizon se tashmë SHBA-të duhet të marrin masa për të rikthyer besueshmërinë e tyre.
Ai thekson se Putini vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase, duke vrarë civilë edhe teksa negocion planin e tij me 28 pika. Sipas tij, Trump duhet të zbatojë të njëjtin parim të përdorur në Gaza: Armëpushim dhe lirimi i pengjeve përpara çdo hapi tjetër diplomatik.
“Putin-i është i pabesueshëm. Nuk mund të negociohet nën bomba. Trump paralajmëroi pasoja në rast refuzimi, por nuk bëri asgjë”, u shpreh Panetta.
Sa i përket çështjes territoriale, Panetta është i prerë.
“S’mund të shpërblejmë një pushtues duke i lënë territoret e okupuara ilegalisht. E vetmja rrugë është ngrirja e vijës së frontit në pozicionet aktuale, pa asnjë njohje”, tha ai.
Ndërkohë, ai kundërshton edhe idenë e reduktimit të ushtrisë së Ukrainës.
“Ajo është garancia e parë e sigurisë. Ukraina duhet të ketë aftësi për t’u mbrojtur nga çdo sulm rus në të ardhmen”, tha ish-sekretari i Luftës.
Panetta sugjeron se Ukraina mund të mos kërkojë anëtarësim në NATO tani, por nuk duhet t’i japë Rusisë të drejtë vetoje.
Sipas tij, modeli i nenit 5 mund të kopjohet përmes një marrëveshjeje bilaterale ku SHBA-të dhe aleatët europianë do të zotoheshin të reagojnë në rast të një sulmi të ri rus. Ndër të tjera ai mbështet dërgimin e trupave europiane si pjesë e një force të mundshme paqeruajtëse:
“Është thelbësore për të garantuar zbatimin e çdo marrëveshjeje”, tha ai.
Ai paralajmëron se nëse Putini refuzon marrëveshjen “SHBA-të duhet ta bëjnë të qartë që do të furnizojnë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë, të afta të godasin objektiva strategjikë në territorin rus. Kremlini duhet të dijë se do të paguajë një çmim”./kb
