Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka folur sot lidhur me paqen dhe amnistinë fiskale, të cilat sipas tij janë në thelb e njëjta gjë. Ai u shpreh se asnjëra prej tyre nuk lidhet me procesin e integrimit europian dhe se nuk përbëjnë standarde të Bashkimit Europian.
Bozdo theksoi se qëndrimi i BE-së për këtë çështje përputhet plotësisht me atë të Partisë Demokratike, duke theksuar se ligji i propozuar hap rrugën për pastrimin e parave.
“Amnistia fiskale dhe paqja fiskale janë pothuajse e njëjta gjë, por nuk kanë lidhje me integrimin europian dhe nuk janë standarde të BE-së. Qëndrimi i BE-së përputhet si dy pika uji me atë të PD-së. Problemi kryesor është hapja e mundësisë për pastrim parash. Së dyti, kemi çështjen e moralit dhe dekurajimin e tatimpaguesit të ndershëm. Së treti, ka të bëjë me transparencën, një pikë e ngritur edhe nga Komisioni Europian. Bëhet fjalë për një ligj të vetëm, që lidhet me faljen apo shuarjen e detyrimeve dhe paqen fiskale,” u shpreh Bozdo./mxh
