Last Updated on 16/10/2025 by EL
Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka reaguar lidhur me protestën që do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Teksa ka shprehur mbështetje për këtë protestë, kjo parti ka theksuar më tej se qëndrimi i saj ndaj Gjykatës Speciale ka qenë dhe mbetet i pandryshuar.
Sipas VV-së, kjo gjykatë nuk ishte e pashmangshme, por u krijua me mbështetje të drejtpërdrejtë politike, përfshirë edhe nga vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.
Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011”, shkruan partia e Kurtit, teksa më tej kujton se në vitin 2015, kryeministri Rama kishte shkuar në Kosovë me helikopter për të bindur partitë që të votonin pro Gjykatës Speciale.
Sipas saj, ai dhe të tjerë politikanë që sot protestojnë, duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e dikurshme.
“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.
Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.
Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.
Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.
Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.
Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin.
