Ditën e enjte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme, duke sjellë një mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash, të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e shiut me intensitet të ulët pritet të shfaqen në orët e mesditës dhe të vijojnë deri në orët e pasdites. Ato do të jenë më të përqendruara kryesisht përgjatë zonave malore, në ultësirën perëndimore si dhe në verilindje të vendit. Pas orëve të pasdites, reshjet pritet të ndërpriten në të gjithë territorin.
Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim, me një shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në zonat bregdetare dhe në lugina, era pritet të fitojë intensitet më të lartë, duke arritur deri në 16 m/s.
Sa i përket kushteve detare, në detet Adriatik dhe Jon valëzimi do të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë, duke krijuar kushte relativisht të qeta deri mesatare për lundrim./kb
