Politologu Ermal Hasimja deklaroi se Forumi i Dialogut Politik do të organizojë pas disa ditësh një tryezë me intelektualë, duke lënë të hapur edhe mundësinë e krijimit të një force të re politike.
I ftuar në Off The Record me Andrea Dangllin, ai tha se për këtë projekt është punuar për gjatë muajve të verës.
“Opozitës i ka munguar pjesa e ideve. Ligjërimi i përgjithshëm në opozitë është që “kemi një qeveri hajdute” dhe “të zgjedhim njerëz të ndershëm”. Edhe agresiviteti parlamentar ka të njëjtin ligjërim. Por, ka munguar pjesa ideore. Në këtë gjendje jemi për shkak të një dizajni kushtetues dhe ligjor që ka bërë të mundur që një person i vetëm të akumulojë kaq shumë pushtet, edhe me elementin e bashkëpunimit me krimin. Çështja është që pas disa ditësh, Forumi i Dialogut do të organizojë një tryezë me intelektualë dhe qëllimi është që t’i japim një dimension më të thellë çështjes së modelit që kemi zgjedhur. Nuk është problemi të zëvendësojmë këtë kryeministër me një tjetër që është i ndershëm, por si të ndërtojmë një sistem që të mos jetë i bazuar te ndershmëria e kryeministrit, por ku të funksionojë “check and balance”. Si t’ia bëjmë për të ulur koston e jetesës, si t’ia bëjmë që të kemi një drejtësi të pavarur? Forumi është zgjeruar, do të bëjë një prezantim të vetin”, tha Hasimja në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Kur u pyet nëse kjo gjë do të kanalizohet drejt një force politike, Hasimja u përgjigj: “Nuk e kemi përjashtuar, por as nuk e kemi diskutuar këtë çështje”.
“Për momentin, po përpiqemi që si aktorë publikë, të japim një kontribut tonin. Sepse kemi konstatuar gjithë këtë kohë mungesën e ideve. Janë rreth 25 veta në forum, që janë treçereku pedagogë dhe ekspertë të ndryshëm”, theksoi politologu./ad
