Last Updated on 10/12/2024 by adminfjala
Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha njoftoi protestën e radhës të opozitës e cila do të mbahet më 23 dhjetor. Ai tha se do të jetë në krye të revoltës popullore, pas 11 muajsh në “arrest shtëpie”. Gjithashtu ish-kryeministri po artikulon në çdo dalje publike mundësinë që administrata Trump mund t’i heqë sanksionin “non grata”.
Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar një protestë madhore që, sipas tij, do të jetë një demonstrim i fuqishëm i vullnetit të qytetarëve kundër qeverisë së Edi Ramës. Protesta është parashikuar të mbahet më 23 dhjetor, ku Berisha ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive. “Data 23 dhjetor do të jetë një ditë e shënuar për mosbindjen civile. Demokratët dhe qytetarët nga çdo cep i Shqipërisë dhe diaspora duhet të jenë bashkë për të treguar se nuk pranojmë më as varfërinë, as korrupsionin që ka kapluar vendin,” deklaroi Berisha. Berisha tha se protestat e opozitës do të vazhdojnë deri në zgjedhje, duke theksuar nevojën për krijimin e një qeverie teknike që të sigurojë një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë. “Kërkojmë që qytetarët të votojnë pa frikë dhe pa presion. Kjo është betejë për demokracinë dhe për të ardhmen e çdo shqiptari,” u shpreh ai.
Heqja e Non Gratës
Gjatë fjalës së tij, Berisha foli edhe për një tjetër prioritet të tij: angazhimin ndërkombëtar për të hequr sanksionet që ka marrë nga SHBA. Lideri i opozitës shprehu besimin se me rikthimin e Donald Trump si president i SHBA-së do të nisë përpjekjet për të rishikuar vendimin që e shpalli atë “non grata”. “Do të nis menjëherë lobimin për të çuar përpara kërkesën për heqjen e këtij akti të padrejtë. Kam besim se e vërteta do të dalë në pah dhe se emri im do të pastrohet,” deklaroi Berisha.
Akuza qeverisë
Në deklaratat e tij, Berisha vazhdoi me akuza të ashpra ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e quajtur atë përgjegjëse për largimin masiv të qytetarëve nga vendi dhe për krizën ekonomike që ka prekur familjet shqiptare. “Edi Rama dhe qeveria e tij janë simboli i dështimit dhe abuzimit me pushtetin. Varfëria dhe korrupsioni po shkatërrojnë çdo shpresë për të ardhmen e këtij vendi,” tha Berisha, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në arritjen e një ndryshimi të plotë politik. Protesta e 23 dhjetorit pritet të jetë një ndër më të mëdhatë të organizuara nga opozita, duke ngritur në këmbë një valë të re kundërshtie ndaj qeverisë aktuale. Sali Berisha konfirmoi se lëvizjet opozitare nuk do të ndalen me protestën e 23 dhjetorit. Ai deklaroi se Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë betejën në rrugë dhe në institucionet ndërkombëtare deri sa, sipas tij, të rikthehet dinjiteti dhe drejtësia për qytetarët shqiptarë. “Ne jemi të gatshëm të përballemi në çdo front për të mbrojtur të ardhmen e këtij vendi. Qeveria e Ramës duhet të largohet, dhe këtë do ta kërkojmë pa u ndalur deri në ditën e fundit,” përfundoi Berisha. Protesta e radhës shihet nga opozita si një sinjal i qartë për një frymë të re të bashkimit popullor, ndërsa tensionet politike pritet të rriten ndërsa zgjedhjet afrojnë. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka komentuar protestën e paralajmëruar të opozitës, e cila do të mbahet më 23 dhjetor, duke theksuar se kjo ngjarje pritet të sjellë një valë të re mobilizimi për demokratët dhe qytetarët. Në një intervistë për Neës24, Korreshi e cilësoi pjesëmarrjen e liderit historik të PD-së, Sali Berisha, si një faktor kyç për suksesin e protestës.
“Deri më tani është përcaktuar vetëm data e protestës. Me rikthimin e zotit Berisha në krye të organizimit, jam i bindur se do të ketë një pjesëmarrje edhe më të madhe. Prania dhe udhëheqja e tij fizike gjithmonë ka pasur një efekt mobilizues,” deklaroi Korreshi. Ai tha se nuk beson se data e zgjedhur për protestën, një ditë para vigjiljes së Krishtlindjeve, do të ndikojë negativisht në pjesëmarrjen e qytetarëve. Përkundrazi, ai argumentoi se situata e vështirë ekonomike do të motivojë më shumë njerëz që të bashkohen.