Last Updated on 22/07/2026 by Anisa
Egnatia rikthehet sonte në skenën europiane për një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e klubit.
Kampionët e Shqipërisë presin në Rrogozhinë kampionët e Sllovenisë, NK Celje, në takimin e parë të turit të dytë kualifikues të Champions League. Dy skuadrat nuk janë përballur kurrë më parë.
Egnatia vjen me moral të lartë pas suksesit më të madh europian të klubit. Pas barazimit 1-1 në Moldavi, rrogozhinasit shkatërruan Petrocubin 6-1 në ndeshjen e kthimit, duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 7-2. Një arritje që i dha fund edhe dy eliminimeve radhazi në turin e parë të Champions League.
Përballë do të jetë një kundërshtar me shumë më tepër eksperiencë ndërkombëtare. Celje është kampionia në fuqi e Sllovenisë dhe në të kaluarën ka pasur duele edhe me skuadra shqiptare. Në vitin 2021 eliminoi Teutën në Conference League, ndërsa sezonin e kaluar nxori jashtë edhe Dritën e Kosovës, duke konfirmuar se di të menaxhojë ndeshje të tilla europiane.
Në letër, sllovenët mbeten favoritë falë koeficientit dhe eksperiencës më të madhe në kupat e Europës, por paraqitja bindëse e Egnatias ndaj Petrocubit ka rritur besimin se kampionët shqiptarë mund të rivalizojnë dhe të hedhin sonte hapin e parë drejt një kualifikimi historik në turin e tretë të Champions League./ad
