Ushtria izraelite ka deklaruar se do të rifillojë zbatimin e armëpushimit në Gaza pas sulmeve ajrore të së dielës, të cilat u kryen si përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si “shkelje flagrante” të marrëveshjes nga Hamasi.
Sulmet nisën në jug të Gazës pasi ushtria izraelite tha se “terroristët qëlluan me raketa” drejt trupave të saj në Rafah, duke vrarë dy ushtarë. Hamasi tha se ishte “i painformuar” për ndonjë përplasje në zonën nën kontrollin izraelit.
Hamasi deklaroi se mbështet armëpushimin, por akuzoi Izraelin për shkelje dhe paralajmëroi se sulmet mund të “shtyjnë situatën drejt një kolapsi të plotë”.
Deklarata nuk specifikoi nëse vendimi i mëparshëm për të pezulluar ndihmën për Gazën ishte anuluar.
Duke folur për gazetarët në Washington DC të dielën, presidenti amerikan Donald Trump tha se armëpushimi ishte ende në fuqi. Ai shtoi se Hamasi kishte qenë “i trazuar dhe ka qëlluar”,por mund të jenë dhe “disa rebelë brenda” grupit të armatosur.
“Gjithsesi, do të trajtohet siç duhet. Me forcë, por siç duhet,” shtoi ai, citon BBC.
Hamasi ka liruar të gjithë pengjet e gjalla, si dhe trupat e 12 prej 28 të vdekurve. Izrael inga ana tjetër ka liruar 250 të burgosur palestinezë nga burgjet e tij dhe 1 mijë e 718 të ndaluar nga Gaza, dhe ka kthyer 15 trupa palestinezësh për çdo trup të pengjeve izraelite.
Kjo marrëveshje u vu në provë të dielën. Gaza përjetoi ditën më të dhunshme që kur presidenti Trump mblodhi liderët botërorë në Egjipt javën e kaluar nën sloganin “Paqe në Lindjen e Mesme”.

Presioni amerikan është i nevojshëm për të mbajtur marrëveshjen në rrugën e duhur, dhe për këtë qëllim, i dërguari i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner pritet të mbërrijnë së shpejti në Izrael.
Më herët të dielën, ushtria izraelite tha se “terroristë qëlluan me raketë kundër tankeve dhe armë zjarri ndaj trupave të IDF që po operonin për të çmontuar infrastrukturën terroriste në zonën e Rafahut, në jug të Gazës”.
“Në përgjigje, IDF ka nisur goditje në zonë për të eliminuar kërcënimin dhe për të çmontuar tunelin dhe strukturat ushtarake të përdorura për aktivitet terrorist.” Krahu ushtarak i Hamasit mohoi të ketë dijeni për ndonjë përplasje në zonën e Rafahut.
Në deklaratën e tij, Brigadat al-Qassam thanë: “Kontakti me grupet tona të mbetura atje është ndërprerë që nga rifillimi i luftës në mars të këtij viti. Prandaj, nuk kemi lidhje me ndonjë ngjarje që ndodh në ato zona dhe nuk mund të komunikojmë me ndonjë luftëtar tonin atje, nëse ndonjëri prej tyre është ende gjallë.”
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se dy ushtarë, major Yaniv Kola dhe rreshter Itay Yavetz, u vranë në “incidentin tragjik në Rafah”. Zyra e tij më herët tha se Netanyahu kishte takuar zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe u kishte dhënë udhëzime “të veprojnë me forcë kundër objektivave terroriste në Rripin e Gazës”.
Banorët në jug të Spitalit Evropian afër Rafahut thanë se sulmet u shoqëruan me bombardime artilerie, me shpërthime që tronditën pjesë të Rafahut. Banorët raportuan gjithashtu të paktën 12 sulme ajrore në lindje të Khan Younis, pjesë e asaj që njerëzit e përshkruajnë si “brez zjarri”.
Sulmet shkaktuan re tymi mbi qytet dhe panik mes familjeve të zhvendosura që strehoheshin aty pranë/kb.
