Paul McCartney po sjell albumin e tij të parë solo pas më shumë se pesë vitesh, i cili pritet të dalë në maj. Titulli i albumit, “The Boys of Dungeon Lane”, vjen nga një varg i këngës së parë të albumit, “Days We Left Behind”, që u publikua të enjten (26 mars).
Në një deklaratë, McCartney tha se kënga është “një këngë kujtimesh” për të dhe se shumë nga tekstet lidhen me kujtimet e tij të fëmijërisë në Liverpool, prindërit e tij dhe aventurat me George Harrison dhe John Lennon para se bota të njihte Beatles. Ai veçoi rrugën Forthlin Road dhe Dungeon Lane, afër vendit ku jetonte në atë periudhë.
“Unë kam jetuar në Speke, një zonë mjaft punëtore. Nuk kishim shumë, por nuk kishte rëndësi sepse njerëzit ishin të shkëlqyer dhe nuk ndjeje se nuk kishe gjë,” tha McCartney.
Albumi është regjistruar në Los Angeles dhe Sussex, me producentin Andrew Watt, dhe përmban edhe këngë të reja dashurie. “The Boys of Dungeon Lane” shënon albumin e 18-të solo të McCartney-t./mxh
