Last Updated on 14/07/2026 by Anisa
Debati brenda Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për pjesëmarrjen në seancën plenare ka nxjerrë në pah përplasjet e brendshme mbi strategjinë opozitare. Në një grup WhatsApp të deputetëve demokratë, disa prej tyre kanë kundërshtuar bojkotin, duke argumentuar se mungesa në Kuvend e privon opozitën nga e vetmja hapësirë institucionale për të ngritur denoncime dhe për t’u përballur me mazhorancën.
Nga diskutimet rezulton se deputetë si Jorida Tabaku, Ina Zhupa dhe Bujar Leskaj kanë shprehur rezerva për mosparaqitjen në seancë, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të foltores parlamentare për çështjet që lidhen me institucionet, zgjedhjet dhe protestat qytetare.
Ina Zhupa: Në mbledhjen e kaluar të gjithë që diskutuam ishim kundër mosshkuarjes në seancë, po atë ditë vajti edhe vonë dhe s’kishte zgjidhje tjetër për atë seancë. Me idenë e ligjeve tona që nuk futen (si këto 13 vjet) nuk shkon, se nesër s’ka ligje fare në rendin e ditës. Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet, siç thotë Bujari, me rëndësi për denoncime dhe qëndrime. Kështu i bie në shtator në seancë dhe s’di çfarë të mire na sjell si opozitë parlamentare!!! Edhe në dijeninë time janë edhe dy komisionet që u mbaron afati, zgjedhore dhe territoriale, që edhe nëse zgjaten dhe nëse mbyllen, do të jetë vendimmarrje e seancës plenare. Gjithsesi, si ta gjykohet më e mira për opozitarizmin.

Bujar Leskaj: Për mendimin tim, kjo është gabim. Sipas kësaj vendimmarrjeje, ne nuk do të flasim për KQZ-në (votimet e manipuluara në diasporë – 2025), ILD-në (mbrojtësen e korrupsionit në gjyqësor), AMF-në, BQ-në, INSTAT-in, si edhe për kryefjalën, mbështetjen e protestës qytetare?!? Cili është kuptimi, ideja, mesazhi? Gjithsesi, klm!

Jorida Tabaku: Përshëndetje kolegë,
Në çdo rast, unë mendoj që mospjesëmarrja na heq ne të vetmen platformë publike që ne kemi për debat! E kemi provuar shumë herë mosshkuarjen dhe i dimë pasojat! Ne duhet të përdorim çdo hapësirë që kemi për përballje! Nesër është një nga ditët ku raportojnë një sërë institucionesh dhe ka hapësirë për të gjitha temat që janë beteja të opozitës!

/ad
