Last Updated on 18/11/2025 by EL
Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur këtë të martë, 18 nëntor. Në fokus të diskutimeve të saj ka qenë zgjedhja e kryetarëve të degëve në ato degë ku për shkak të zgjedhjeve të 11 majit kryetarët e tyre u dorëhoqën sepse hynë në primare.
Bëhet fjalë për Elbasanin, Sarandën, Himarën, Dibrën dhe degën e Kasharit në Tiranë. Siç ka mësuar gazetari Enkel Xhangoli, duket se mes demokratëve është vendosur që këto zgjedhje të mbahen pas analizës që do të bëhen në Partinë Demokratike lidhur me rezultatin e 11 majit.
Nga ana tjetër, ai ka mësuar se gjatë mbledhjes nuk ka pasur diskutime sa i përket aksionit të Partisë Demokratike dhe nëse do të ketë një datë për një protestë kombëtare.
“Kryetari i PD-së i ka dhënë mesazhe anëtarëve të Kryesisë që të mobilizohen në terren, të komunikojnë me strukturat dhe të jenë strukturat ata që komunikojnë me qytetarët për të qenë gati për një protestë kombëtare ndonëse ende nuk ka një datë konkrete”./e.t
