Lufta e Shteteve të Bashkuara në Iran ka kushtuar deri më tani rreth 25 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi zyrtar të bërë publik nga një zyrtar i lartë i Pentagonit.
Ky është vlerësimi i parë i detajuar financiar për konfliktin që nisi më 28 shkurt dhe që vazhdon të ketë pasoja të gjera ushtarake, ekonomike dhe politike.
Jules Hurst, i cili ushtron detyrën e kontrollorit në Pentagon, informoi ligjvënësit gjatë një dëgjese në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve se pjesa më e madhe e kësaj shume është shpenzuar për municione dhe operacione ushtarake. Megjithatë, ai nuk dha sqarime të plota nëse kjo shifër përfshin kostot afatgjata si rindërtimi i bazave ushtarake në Lindjen e Mesme apo mirëmbajtja e infrastrukturës së dëmtuar nga luftimet.
Gjatë seancës, përfaqësuesi demokrat Adam Smith theksoi se Kongresi kishte kërkuar për një kohë të gjatë një pasqyrë të qartë të kostove të luftës, duke e konsideruar këtë informacion thelbësor për mbikëqyrjen dhe transparencën.
Konflikti filloi, kur SHBA-të ndërmorën sulme ajrore ndaj objektivave në Iran më 28 shkurt, në një operacion që u pasua nga përshkallëzim i shpejtë i tensioneve në rajon. Aktualisht, dy palët po respektojnë një armëpushim të brishtë, por situata mbetet e paqëndrueshme dhe me rrezik për rifillim të luftimeve në çdo moment.
Pentagoni ka vendosur një prani të konsiderueshme ushtarake në rajon, duke dislokuar dhjetëra mijëra trupa shtesë dhe duke mbajtur tre aeroplanmbajtëse në gatishmëri të lartë. Kjo prani synon të pengojë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të sigurojë interesat strategjike të SHBA-ve dhe aleatëve të saj. Deri më tani, 13 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në këtë konflikt, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur, duke e bërë koston njerëzore një tjetër aspekt të rëndë të luftës.
Në planin ekonomik, lufta ka shkaktuar tronditje të ndjeshme në tregjet globale të energjisë. Ndërprerjet në furnizimin me naftë dhe gaz natyror nga rajoni kanë çuar në rritje të çmimeve të karburanteve në SHBA dhe më gjerë. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët, duke përfshirë edhe rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore si plehrat kimike dhe ushqimet.
Pasojat politike janë gjithashtu të dukshme. Popullariteti i presidentit Donald Trump ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i luftës, ndërsa sondazhet tregojnë një mbështetje në rënie për konfliktin. Sipas një sondazhi Reuters/Ipsos, vetëm 34% e amerikanëve e mbështesin luftën, një rënie e vazhdueshme nga muajt e mëparshëm.
Me zgjedhjet e ndërmjetme që afrohen, kjo situatë po krijon një terren të favorshëm për demokratët, të cilët po përpiqen ta lidhin luftën me rritjen e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike të familjeve amerikane. Ata argumentojnë se shpenzimet e mëdha ushtarake dhe ndikimet në ekonomi po rëndojnë mbi qytetarët dhe kërkojnë një rivlerësim të strategjisë së jashtme të SHBA-ve./mxh
