Përhapja e informacioneve të përmbledhura me inteligjencë artificiale në Google po rrezikon seriozisht jetesën e mijëra autorëve të recetave të gatimit në internet.
Sipas një analize të publikuar nga The Guardian, ajo që nisi si një risi teknologjike po shndërrohet në një tronditje strukturore për modelin tradicional të blogeve të gatimit.
Që nga marsi, kur Google nisi testimin e “AI Mode”, përdoruesve u ofrohen receta të gjeneruara automatikisht nga AI.
Problemi? Këto receta shpesh janë produkte hibride, të ndërtuara duke përzier elemente nga shumë burime të ndryshme, pa kontekst, pa detaje dhe shpesh pa kuptim praktik. Në një rast ekstrem të raportuar nga The Guardian, AI madje ngatërroi komentet në Reddit me receta reale dhe sugjeroi përdorimin e ngjitësit “jo toksik” në gatim.
Pa mbrojtje ligjore, pa siguri ekonomike
Autorët e recetave ndodhen në një zonë gri ligjore. Recetat, si udhëzime, nuk mbrohen nga e drejta e autorit, përveç formulimit specifik të tekstit. Kjo do të thotë se përmbajtja e tyre mund të përpunohet, thjeshtohet dhe ripublikohet nga sistemet e AI pa pasoja ligjore.
Modeli ekonomik i shumicës së blogerëve ushqimorë ka qenë i thjeshtë dhe tradicional, përmbajtje falas, e mbështetur nga reklamat. Por tani, me përdoruesit që marrin përgjigje të menjëhershme nga AI dhe nuk klikojnë më në faqet origjinale, ky model po shembet.
Jim Delmage, bashkëthemelues i blogut dhe kanalit YouTube Sip and Feast, shprehet për The Guardian se shumë krijues kanë frikë të flasin hapur.
Edhe më pesimist është Matt Rodbard, themelues i faqes Taste, i cili e quan situatën një “ngjarje zhdukjeje” për faqet që varen nga reklamat.
Trafiku në rënie për blogerët
Sipas raportimeve të The Guardian dhe Bloomberg, disa blogerë kanë humbur deri në 80% të trafikut në dy vitet e fundit. Të tjerë kanë mbetur relativisht të qëndrueshëm, falë ndërtimit të komuniteteve besnike dhe fokusit te ndjekësit afatgjatë, jo te manipulimi i algoritmeve.
Megjithatë, edhe autorët më të konsoliduar po shohin punën e tyre të “sintetizuar” nga AI në receta të përgjithshme, pa nuancat që i bëjnë unike: këshilla teknike, përvojë profesionale, foto të procesit dhe video. Në modalitetin AI, këto elemente zhduken dhe zëvendësohen nga lista të shkurtra përbërësish dhe hapa bazë.
Ndërsa pranohet se shumë faqe recetash janë mbingarkuar me reklama ndër vite, ekspertët e industrisë theksojnë se ndryshimet e algoritmeve të Google dhe futja e AI janë faktorët kryesorë që po e bëjnë përmbajtjen origjinale më pak të dukshme.
Një studim me 3 mijë të rritur amerikanë,tregon se sa më shumë njerëzit ndërveprojnë me AI, aq më pak i besojnë asaj. Gati gjysma e të anketuarve e vlerësojnë përmbajtjen e krijuar nga njerëzit si më të besueshme.
Çfarë vjen më pas?
Opsionet për autorët janë të kufizuara, kalimi në platforma me pagesë si Substack apo Patreon funksionon vetëm për ata me audienca shumë të mëdha. Bllokimi i “crawler”-ëve të AI rrezikon zhdukjen nga kërkimet.
Ndërkohë, librat e gatimit po shohin një rritje të lehtë të shitjeve, veçanërisht në fushën e pastiçerisë, por edhe ato po preken nga pirateria dhe trajnimi i modeleve AI mbi libra të vjedhur.
Sipas The Guardian, shpresa mbetet që publiku, me kalimin e kohës, të vlerësojë më shumë përmbajtjen njerëzore, të testuar dhe të besueshme. Por për shumë blogerë, e ardhmja e biznesit të recetave online mbetet thellësisht e pasigurt.
Siç e përmbledh një autore recetash, pasioni për të mësuar dhe për të ndarë dije do të mbijetojë, por modeli ekonomik duhet të përshtatet me një realitet të ri, të dominuar nga AI. /KM
