Last Updated on 05/03/2026 by Anisa
Një debat i ashpër dhe i tensionuar u zhvillua mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ish-ministrjes për Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në Kuvend. Tema e përplasjes ishte largimi i Spiropalit nga detyra dhe roli i saj në politikë, por fjalët u bënë të ashpra dhe personale.
Berisha iu drejtua Spiropalit me ton kritik:
“Eliza, je viktima më e parëndësishme dhe më e merituara e Ballukut. Në një kohë kur sytë e shqiptarëve drejtoheshin drejt asaj sikur të ishte korbë e zezë, ti vije si nuse, e veshur me të bardha. Ça kujton, se hante bar Balluku? Nuk e ke nga Berisha, e ke nga vetja jote. Jo që nuk e mbroje, por gëzoheshe se do bëheshe zv.kryeministre. Ke probleme të mëdha në shkenca. More përpjetë.”
Në përgjigje, Spiropali tha:
“Replika ishte me Këlliçin dhe jo me Berishën, që s’lë radhë për t’i lënë radhë deputetëve të tij. Të gjithë e kanë nga vetja, askush nga të tjerët. Unë nga vetja, ti nga vetja, e të gjithë. Ta shohim se ku jemi dhe ku ishim, dhe për të ardhmen, nëse bën analizën e të tjerëve. Ti s’lëviz dot një gur, jo më njerëz nga qeveria.”
Belind Këlliçi, iu drejtua Spiropalit duke i përmendur largimin e saj nga detyra e ministres së Jashtme, si ndër të paktat anglishtfolëse në grupin e PS.
“Unë nuk flas vetëm anglisht, flas edhe gjuhë tjetër të huaj, pr më mirë se shqipen s’flas asnjë gjuhë. Flas shqip, flas troç, kam folur gjithmonë si duhet për dhe me Shqipërinë. Çdo detyrë këtu në Kuvendin e Shqipërisë është nder i madh.Jam e qartë, jam e qetë, e vetmja keq për të cilën më vjen keq është që largimin e paralajmëroi Sali Berisha dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur, që i doli fjala, për asgjë tjetër”, tha Spiropali.
Largimi i Elisa Spiropalit nga detyra e ministres për Punët e Jashtme është shoqëruar me aludime se ishte kërkesë e Ballukut, duke nxitur spekulime mbi influencën dhe lëvizjet brenda mazhorancës. /A.D
