Last Updated on 30/06/2026 by EL
Katër efektivë të Forcave të Posaçme “Shqiponja” dhe të Patrullës së Përgjithshme kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.
Efektivët e plagosur janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa tensionet u regjistruan në momentin kur policia ndërhyri për të spostuar turmën e protestuesve, të cilët prej orëve të paradites së kësaj të marte kishin bllokuar hyrjen kryesore të Kuvendit, duke qëlluar me vezë dhe sende të forta automjetet e deputetëve dhe ministrave.
Ndërhyrja e Policisë së Shtetit erdhi për të zhbllokuar hyrjen ballore të Parlamentit, në mënyrë që deputetët të mund të largoheshin nga godina pas përfundimit të seancës.
Pas përplasjeve efektivët shoqëruan gjashtë protestues, Shkëlzen Bushi, Dritan Goxhaj, Mandi Jatagani, Erjon Taipi dhe Asim Prengzi, të cilët janë duke u mbajtur në tre Komisariate të Tiranës./ET
