Gjyqi për rrethanat e vdekjes së legjendës së futbollit Diego Maradona ka hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa vendimi pritet të shpallet në muajin gusht në Argjentinë.
Procesi gjyqësor, i zhvilluar në San Isidro, ka përfshirë rreth 70 dëshmi nga dëshmitarë dhe të pandehur gjatë më shumë se 25 seancave. Ky është procesi i dytë për çështjen e vdekjes së Maradonës, pasi gjyqi i parë u anulua në vitin 2025 pas skandalit me gjyqtaren Julietta Macindach, e cila u përjashtua pasi u zbulua se kishte marrë pjesë në realizimin e një dokumentari për çështjen.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen shtatë profesionistë të shëndetësisë, përfshirë mjekë, psikiatër, psikologë dhe pjesëtarë të stafit infermieror. Ata akuzohen për neglizhencë të mundshme mjekësore që mund të ketë ndikuar në vdekjen e Maradonës në nëntor të vitit 2020, pasi ai ndërroi jetë vetëm në një banesë ku po rikuperohej pas një ndërhyrjeje neurokirurgjikale.
Një nga momentet më të tensionuara të gjyqit ndodhi kur Luque shfaqi një video të autopsisë së Maradonës në sallën e gjyqit, ndërsa aty ndodhej vajza e tij Giannina. Ajo reagoi e revoltuar dhe u largua nga salla, duke sjellë ndërprerjen e seancës.
Përplasjet kanë qenë të forta edhe mes palëve ligjore, veçanërisht mes avokatit të familjes Maradona dhe mbrojtësit të Luques, ku debatet kanë kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Gjatë gjyqit është përdorur edhe një maket i banesës ku vdiq Maradona, i ndërtuar për të ndihmuar gjykatën në analizimin e rrethanave të ngjarjes.
Paralelisht, një çështje tjetër po zhvillohet ndaj Matias Morla, ish-avokatit dhe menaxherit të Maradonës, i cili akuzohet për menaxhim të dyshuar të parregullt të markës tregtare “Maradona”.
Pesë vite pas ndarjes nga jeta të një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, vendimi i pritshëm në gusht pritet të mbyllë një nga proceset gjyqësore më të ndjekura në Argjentinë./ad
