Last Updated on 14/04/2026 by Fernada
Humbja e partnerit duket se prek më rëndë burrat. Nga rritja e rrezikut kardiovaskular te ndryshimet në sistemin imunitar, ja çfarë ndodh në trup kur “thyhet zemra”.
Një studim i publikuar në revistën shkencore Journal of Affective Disorders ka analizuar mënyrën se si vejëria ndikon te burrat dhe gratë, duke nxjerrë rezultate në disa aspekte befasuese: burrat rezultojnë më të goditur si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht nga humbja, ndërsa gratë, përveç një rënieje të lehtë të mirëqenies në periudhën afatshkurtër, në vitet pas vdekjes së partnerit raportojnë madje përmirësim të jetës së tyre.
Studimi përfshiu 1,076 japonezë që kishin humbur bashkëshortin/en. Analiza e 37 treguesve të ndryshëm të shëndetit pas humbjes tregoi se burrat dhe gratë e përjetojnë zinë në mënyra shumë të ndryshme.
Edhe pse të dyja gjinitë priren të socializohen më shumë pas humbjes së partnerit, burrat, të cilët shpesh rrisin edhe konsumin e alkoolit, humbasin mbështetjen sociale reale. Pra, fakti që takojnë më shumë njerëz nuk do të thotë se ndihen më të lidhur emocionalisht. Për më tepër, te burrat rritet rreziku për depresion dhe demencë pas humbjes së bashkëshortes.
Në të kundërt, gratë nuk shfaqin rritje të simptomave depresive. Pas një periudhe fillestare trishtimi dhe më pak aktiviteti, ato rikthehen të jetojnë më mirë se më parë, duke u ndjerë më të kënaqura me jetën e tyre.
A janë burrat më të varur emocionalisht?
Sipas studiuesve, një nga arsyet kryesore mund të jetë varësia më e madhe e burrave nga partnerja për mbështetje emocionale dhe praktike. Në shumë kultura, përfshirë Japoninë, jeta e burrave shpesh përqendrohet te puna, ndërsa mbështetjen emocionale e gjejnë kryesisht brenda çiftit. Duke pasur rrjete sociale më të kufizuara, ata e ndjejnë më rëndë humbjen.
Roli i grave si kujdestare
Nga ana tjetër, gratë shpesh mbajnë rolin e kujdestareve kryesore për bashkëshortët. Për disa prej tyre, humbja – pavarësisht dhimbjes, mund të sjellë edhe njëfarë lehtësimi nga ky përgjegjësi e vazhdueshme, duke ndikuar në përmirësimin e mirëqenies me kalimin e kohës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se mbeten ende shumë pyetje pa përgjigje: sa ndikojnë cilësia e martesës, niveli i kujdesit që ofrohej dhe faktorë të tjerë shëndetësorë? Përgjigjet mund të ndryshojnë ndjeshëm këtë tablo.
