Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se armëpushimi me Irani vazhdon dhe nuk ka përfunduar.
Gjatë një konference për shtyp në Pentagoni, ai theksoi se, pavarësisht shkëmbimit të zjarrit në Ngushtica e Hormuzit, marrëveshja e armëpushimit mbetet në fuqi.
Hegseth pranoi se në fillim të misionit amerikan për të shoqëruar anijet tregtare mund të ketë tensione, por shtoi se SHBA do të mbrohet “në mënyrë të fortë”.
Ai deklaroi se është presidenti Donald Trump që vendos nëse një situatë përbën shkelje të armëpushimit apo përshkallëzim.
Sipas tij, forcat amerikane kanë siguruar një korridor të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe qindra anije tregtare janë në pritje për të kaluar.
Hegseth theksoi gjithashtu se Irani nuk e kontrollon këtë zonë detare dhe se SHBA ka krijuar një “mburojë të fuqishme” për mbrojtjen e lundrimit.
Ai sqaroi se operacioni amerikan, i quajtur Operacioni “Freedom”, është mbrojtës, i përkohshëm dhe synon vetëm sigurimin e anijeve tregtare nga sulmet.
“Ne nuk kemi nevojë të hyjmë në ujërat territoriale apo hapësirën ajrore të Iranit. Nuk kërkojmë konflikt”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se ka fundosur gjashtë mjete të vogla iraniane dhe ka rrëzuar raketa dhe dronë, gjatë operacioneve për shoqërimin e cisternave të bllokuara.
Nga ana tjetër, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Caine, deklaroi se që nga shpallja e armëpushimit më 7 prill, Irani ka hapur zjarr nëntë herë ndaj anijeve tregtare dhe ka kapur dy anije kontejnerësh.
Ai shtoi se Irani ka sulmuar më shumë se 10 herë edhe forcat amerikane, por këto incidente nuk kanë kaluar pragun për rifillimin e një lufte të gjerë./mxh
