Petro Koçi ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke kritikuar dhunën gjatë protestave dhe sulmet ndaj policisë, ndërsa ka përsëritur rezervat e tij ndaj qeverisjes së Edi Ramës dhe problemeve brenda Partisë Socialiste. Ai thekson se kundërshtimet ndaj qeverisë nuk duhet të justifikojnë dhunën dhe shkatërrimin e pronës.
Në reagimin e tij, Koçi nënvizon se nuk tërhiqet nga kritikat e mëparshme për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, korrupsionin, përqendrimin e pushtetit dhe mungesën e demokracisë së brendshme në PS.
“Unë nuk i heq asnjë presje gjithë ç’kam thënë për tradhtinë antisocialiste me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, as për korrupsionin e Belindës, as për përqendrimin e pushtetit në pak duar, as për dërmimin e demokracisë brenda PS-së, as për duopolin e sistemit zgjedhor”, shprehet ai.
Megjithatë, Koçi vlerëson se situata politike dhe veprimet e dhunshme gjatë protestave mund të bëjnë që një pjesë e qytetarëve të lënë në plan të dytë përgjegjësitë e qeverisë.
Sipas tij, përfshirja e faktorëve që ai i lidh me Iranin, Rusinë, Serbinë, Albinin dhe Saliun në atë që e cilëson si plaçkitje të pronës dhe sulme ndaj policisë shqiptare përbën një shqetësim serioz.
“Sepse kjo është tradhti ndaj kombit, ky është korrupsion mbi korrupsionet”, thekson Koçi.
