Last Updated on 20/05/2026 by EL
Komisioni Evropian ka ndarë një tjetër fond, konkretisht 49 milionë euro, për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Bëhet me dije se financimi do të mbështesë reforma dhe investime kyçe që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, rritjen ekonomike, infrastrukturën dhe reformat në qeverisje.
Reformat e vlerësuara në Shqipëri nga Komisioni përfshijnë masa për përmirësimin e mjedisit të biznesit, lehtësimin e investimeve dhe inovacionit, si dhe zgjerimin e qasjes në financim, përfshirë për sipërmarrjet e reja dhe kompanitë aktive në sektorët e gjelbër dhe digjitalë.
Nga 49 milionë eurot e disbursuara, 22.8 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura vihen në dispozicion për projekte investimi përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në varësi të procedurave të zbatueshme të miratimit.
Përveç Shqipërisë, Komisioni Evropian ka vënë sot në dispozicion edhe 44.2 milionë euro për Malin e Zi dhe 65.7 milionë euro për Maqedoninë e Veriut në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Kjo pason kërkesën e tretë për pagesë dhe vlerësimin pozitiv të Komisionit mbi hapat e reformës të zbatuar në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit në Shqipëri dhe Mal të Zi, si dhe arsimit dhe digjitalizimit në Maqedoninë e Veriut.
Me disbursimin e sotëm, shuma totale e dhënë në kuadër të Instrumentit, sipas paketave përkatëse, arrin në 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 89.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
Fondet e dedikuara për WBIF-në, pasi të miratohen nga bordi i WBIF-së, do të mbështesin projekte infrastrukturore në transportin e qëndrueshëm, energjinë e pastër, zhvillimin digjital dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor. Projektet do të zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar në vitin 2023, synon t’u sjellë vendeve të rajonit përfitimet e anëtarësimit përpara aderimit të tyre në BE. Ai synon integrimin e partnerëve në Tregun Unik të BE-së, çuarjen përpara të bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave të lidhura me BE-në dhe rritjen e fondeve të para-anëtarësimit. Kjo, nga ana tjetër, përshpejton procesin e zgjerimit dhe rritjen ekonomike të partnerëve./mxh
