Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shprehu keqardhjen e tij para Këshillit të federatës të enjten për planin e tij për t’ua shitur aksionet e Kupës së Botës investitorëve privatë.
“Kërkova falje për gabimet që bëmë në aspektin e komunikimit dhe procesit të konsultimit në lidhje me këtë plan të veçantë, i cili më pas pati shumë pasoja”, tha Infantino pas takimit, duke shtuar se propozimi i tij dominoi diskutimet.
“Megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se ky ishte një propozim, nuk ishte aspak diçka që ishte finalizuar. Ishte thjesht një propozim, i cili kishte për qëllim t’i mundësonte FIFA-s të investonte më shumë në shoqatat e saj anëtare, pa zëvendësuar mbështetjen e ofruar tashmë nga burimet ekzistuese”, shtoi ai.
Takimi i së enjtes në Cyrih ishte mbledhja e parë e Këshillit të FIFA-s që nga përfundimi i Kupës së Botës 2026 dhe publikimi i detajeve të propozimit kontrovers të Infantinos.
Plani shkaktoi reagime të menjëhershme nga federatat e futbollit në të gjithë botën, si dhe nga Komisioneri i Sportit i BE-së, Glenn Micallef .
Shitja e propozuar e aksioneve shkaktoi gjithashtu thirrje që Infantino të jepte dorëheqjen si president i FIFA-s, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump ndërhyri për ta mbrojtur atë.
Zëvendëspresidentja e Këshillit të FIFA-s dhe presidentja e Shoqatës Angleze të Futbollit, Debbie Hewitt, shprehu zhgënjim që dokumentet që lidhen me planin nuk ishin ndarë me anëtarët e Këshillit, duke vënë në dukje se shumë pyetje mbetën pa përgjigje pas takimit.
“Kam kërkuar vazhdimisht që dokumentet të publikohen. Pavarësisht kërkesës sime dhe deri më sot, nuk i kam marrë ato”, tha ai./ad
