Përplasja e fortë virtuale mes deputetes socialiste Zegjine Çaushi dhe influencueses Dea Mishel ka sjellë një reagim epik nga gazetari Bledi Mane. Si gjithmonë pa doreza dhe me një dozë të lartë sarkazme, Mane ka shpërthyer në rrjetet sociale duke komentuar atë që po konsiderohet si “revolucion” i Instagramit kundër politikës.
Mane ka zgjedhur një krahasim plot humor për të treguar se sa seriozisht duhet marrë ky debat, duke përfshirë në skenë edhe analistin e njohur Lutfi Dervishi.
“Nëse revolucioni ka mbetur në dorën e Dea Mishelit nga Mashkullora, unë do bëj plazh nudo me Lutfi Dervishin në Zvërnec!” – shkruan Mane me ironi therëse.
Me këtë reagim, gazetari thumbon hapur faktin që debatet e rëndësishme për ekonominë dhe turizmin e vendit shpesh kthehen në “shfaqje” personazhesh të njohur, duke lënë të kuptohet se nëse fatet e reagimit qytetar kanë mbetur në dorën e vajzave të internetit, atëherë situata është për të qeshur e për të qarë.
Postimi ka bërë xhiron e rrjetit, duke shkaktuar pafund komente te ndjekësit.
Sipari i diskutimeve nisi nga Kryeministri Edi Rama, i cili ironizoi blogerët dhe influencerët që mbështesin protestat kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.//a.d
