Last Updated on 05/06/2025 by adminfjala
Në Ditën Botërore të Mjedisit
Nga Leonard Veizi
Më 5 qershor bota ndalet për të reflektuar mbi një sfidë të përbashkët dhe urgjente: mbrojtjen e mjedisit. Dita Botërore e Mjedisit, e themeluar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1972, këtë vit fokusohet te një nga problemet më alarmante të kohëve moderne – ndotja nga plastika.
Bota ndalet, por ne që jetojmë mbi Botë, nuk ndalemi.
Plastika, një shpikje që revolucionarizoi industrinë dhe jetën e përditshme, ka shndërruar veten në një kërcënim të heshtur por të gjithanshëm. Sipas OKB-së, çdo vit prodhohen mbi 430 milionë ton plastikë, më shumë se gjysma e së cilës është e përdorimit të vetëm. Nga kjo sasi, rreth 19 deri në 23 milionë ton përfundojnë në lumenj, liqene dhe dete, duke krijuar pasoja të rënda për biodiversitetin, jetën detare dhe përfundimisht për shëndetin e vetë njerëzve.
Plastika po na mbyt
Mikroplastika tashmë është gjetur në ujëra të pijshëm, në peshk, në ajër dhe madje edhe në trupin e njeriut. Kjo nuk është më vetëm një krizë ekologjike – është një krizë njerëzore. Fushata globale e OKB-së këtë vit, “#BeatPlasticPollution”, vjen si një thirrje për veprim konkret: riciklim më i mirë, reduktim i plastikës së panevojshme, riformësim i politikave publike dhe një ndryshim i qasjes individuale ndaj konsumit.
OKB ka mbi 50 vjet që e thërret një gjë të tillë, por e vërteta është se mbetjet plastike po na zënë frymën
Shumë shtete kanë ndërmarrë hapa të guximshëm – ndalimi i qeseve plastike, vendosja e taksave për produktet plastike, përmirësimi i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve. Por realiteti tregon se sfida është ende shumë larg zgjidhjes. Veçanërisht në vendet në zhvillim, plastika vijon të përdoret pa kontroll, ndërsa riciklimi është i pakët dhe informal.
Shqipëria dhe problemet që s’mund të fshihen
Të gjitha nismat e ndërmarra në Shqipëri për reduktimin e plastikës kanë dështuar me “nder e lavdi”
Sot Shqipëria është një nga vendet më të ekspozuara në rajon përballë ndotjes nga plastika. Statistikat thonë se qytetarët shqiptarë përdorin mesatarisht nga 700 deri në 1,000 qese plastike në vit për person – një shifër ndër më të lartat në Evropë. Pjesa më e madhe e kësaj plastike nuk riciklohet. Ajo digjet në mënyrë të pakontrolluar, përfundon në mjedis, ose mbetet në deponi apo landfillde të hapura që nuk plotësojnë as standardet më minimale mjedisore.
Lumenjtë si Ishmi, Erzeni, Shkumbini apo Lana, në vend që të jenë burime jete, shpesh janë të tejmbushur me qese, shishe plastike dhe mbetje urbane. Këto lumenj, përmes rrjedhës së tyre, transportojnë ndotjen drejt detit Adriatik dhe Jon, duke e kthyer bregdetin shqiptar – veçanërisht gjatë sezonit turistik – në një fushë betejash kundër mbetjeve.
Ballkani Perëndimor, një krizë rajonale
Problemi nuk kufizohet vetëm në Shqipëri. Rajoni i Ballkanit Perëndimor prodhon mbi 1 milion ton mbetje plastike në vit, ndërsa sipas të dhënave të Bankës Botërore dhe ËËF Adria, vetëm 25 deri në 30% e tyre menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme. Pjesa tjetër përfundon në natyrë, në toka bujqësore apo rrugë ujore që e çojnë ndotjen përtej kufijve kombëtarë.
Rreth 100,000 ton plastikë në vit përfundojnë në lumenj dhe dete në rajon. Shumë lumenj të Ballkanit – nga Drini e Morava, tek Vardari – janë shndërruar në rrugë ndotjeje të plastikes drejt deteve. Plastika në këto ujëra nuk njeh flamuj, por përbën një sfidë të përbashkët që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, përtej rivaliteteve dhe burokracive të zakonshme.
Emergjenca e (pa) shmangur
Nëse plastika është një krizë e prodhuar nga njerëzit, ajo mund të zgjidhet vetëm përmes ndërgjegjësimit dhe veprimit njerëzor. Në një kohë kur ndotja, ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit janë kthyer në kriza paralele, mbrojtja e mjedisit nuk është më luks apo idealizëm – është domosdoshmëri. Dita Botërore e Mjedisit është një kujtesë e fuqishme se planeti Tokë nuk ka një alternativë tjetër. Plastika është gjithkund – në duart tona, në lumin që kalon pranë shtëpisë, në peshkun që hamë dhe në të ardhmen që po ndërtojmë. Por nëse të gjithë vendosim të ndryshojmë diçka – qoftë edhe të vogël – ndryshimi kolektiv është i mundur.
Mjedisi nuk është çështje për nesër. Është emergjencë për sot. Lufta kundër ndotjes nga plastika është luftë për jetën. Dhe nuk ka më kohë për të humbur.