Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili është dhe një ndër mbështetësit kryesore të fermerëve, ka kritikuar ashpër skemën aktuale të kompensimit të TVSH-së dhe politikat, të cilat sipas tij prej shtatë vitesh janë duke dëmtuar prodhimin vendas.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe thekson se problemi i krijuar që prej vitit 2018 vazhdon të mbetet i pazgjidhur, ndonëse të gjithë kolegët e tij ligjvënës e kanë kuptuar dëmin, por nuk po kërkojnë t’i japin zgjidhje.
Ai nënvizon se skema e kompensimit për TVSH-në e paguar nga bujqit për inputet bujqësore nuk ka asnjë lidhje me TVSH-në e transaksioneve të shitjes dhe blerjes, duke shtuar se ky ngatërrim prej vitesh ka lënë pas pasoja të rënda.
Sipas Braçes, skema aktuale është e kufizuar dhe godet shumicën e fermerëve, duke përqendruar prodhimin bujqësor vetëm në disa duar. Ai e cilëson të padrejtë faktin që biznesi i vogël dhe tregjet publike përjashtohen nga blerjet dhe shitjet me kompensim për bujqit, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për prodhuesit e vegjël.
Teksa më tej thekson se posti i tij politik dhe “karrigia” e deputetit nuk kanë rëndësi përballë sigurisë ushqimore dhe mbështetjes ndaj fermerëve. m.p.
