Last Updated on 18/06/2026 by Kesjana
azhet publike në Pogradec janë sërish në qendër të debatit. Dritan Hoxha, administrator i biznesit “Sherlock”, ngre shqetësimin për atë që e cilëson si zënie dhe kalim të hapësirave publike në përdorim privat. Hoxha thotë se zona ku ndodhet biznesi i tij ka qenë prej vitesh një hapësirë e përdorur nga qytetarët, ku ai ka vendosur edhe një rrjet volejbolli për të rinjtë, duke u ofruar një mundësi argëtimi dhe aktiviteti sportiv pa pagesë.
Sipas tij, sot është njoftuar se kjo hapësirë do të kalojë në funksion të një stacioni plazhi privat dhe se i është kërkuar të heqë edhe rrjetën e volejbollit.
“Unë quhem Dritan Hoxha. Jam administratori i ‘Sherlock’, një biznes që e udhëheq bashkë me bashkëshorten time. Jemi të dy të arsimuar mirë, me një vizion për t’i sjellë diçka qytetit tonë të Pogradecit, diçka e cila fatkeqësisht nuk po ndodh. Sot jemi vënë në dijeni që plazhet publike janë bërë përsëri private në Pogradec. Zona ku jemi këtu është plazh publik, plazh që i përket qytetit. Këtu unë kam vendosur prej vitesh një rrjet volejbolli, ku të rinjtë paradite dhe pasdite luajnë volejboll. Është kthyer në një vend atraktiv për qytetin tonë. Ne kemi zgjedhur një sport që e praktikojmë dhe kemi vendosur rrjetën e volejbollit për t’u dhënë mundësi njerëzve të luajnë. Kemi edhe çadrat, të cilat janë çadra për plazhin publik. Sot vihem në dijeni që plazhi publik në Pogradec është vetëm këtu”, shprehet ai.
Duke treguar hapësirën që sipas tij ka mbetur e lirë për qytetarët, Hoxha thotë se në një gjatësi prej rreth dy kilometrash vijë bregdetare, pjesa publike është reduktuar në vetëm pak metra.
“Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë, njëmbëdhjetë. Njëmbëdhjetë metra plazh publik në dy kilometra plazh. Mua sot më njoftohet që duhet të heq edhe rrjetën e volejbollit, sepse plazhi kalon privat. Nuk kam asgjë me privatët. Problemi është që këtu janë dhënë tri leje për stacione plazhi dhe beach bare, gjë që sipas meje është në kundërshtim me ligjin”, tha Hoxha.
Hoxha deklaron se për këtë çështje ka depozituar ankesa pranë institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar verifikimin e procedurave dhe rishikimin e vendimeve.
“Kam bërë ankimim administrativ tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, kam bërë ankimim administrativ tek ‘Denonco Korrupsionin’, kam bërë ankimim administrativ tek Prefekti i Korçës. Shpresoj të marr përgjigje pozitive. Mbrojeni Pogradecin, sepse po bëhet masakër. Unë nuk e di kush i ka dhënë lejet. Bashkia thotë se nuk i kemi dhënë ne, Agjencia Kombëtare e Bregdetit thotë se nuk i kemi dhënë ne. Ndërkohë këtu kemi edhe persona që marrin leje për beach bare”, shprehet administratori i “Sherlock”.
Ai ngre pretendime edhe për përfshirjen e personave të lidhur me institucionet lokale, duke kërkuar transparencë mbi mënyrën e dhënies së autorizimeve.
“Kemi drejtorë të bashkisë që marrin leje për beach bare, kemi trashëgimtarë që marrin leje për beach bare dhe persona të tjerë që marrin leje. Unë nuk e di se çfarë po ndodh në kaq pak plazh publik sa ka Pogradeci dhe hidhen të gjithë për ta marrë këtë hapësirë. Janë vetëm 11 metra plazh publik. Kjo është shqetësuese”, tha Hoxha.
Hoxha sqaron se rrjeta e volejbollit është vendosur privatisht prej tij, por përdoret falas nga qytetarët dhe se vendosja e saj ka qenë një nismë për të krijuar një hapësirë sportive në breg të liqenit.
“Rrjeta është private, e kam amanet nga profesor Llazi Gërxhalli, i cili këtë sport e do me shpirt. E kam vendosur unë privatisht në plazh publik që njerëzit të luajnë pa pagesë. Sot do ta heq, jam i detyruar, sepse tjetri ka ardhur këtu dhe kërkon që të lirohet vendi”, u shpreh ai.
Në fund, ai i bën apel Bashkisë së Pogradecit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që të rishikojnë vendimet për hapësirat në vijën bregdetare.
“Bashkia Pogradec t’i rishikojë vendimet. Agjencia Kombëtare e Bregdetit, rishikojini vendimet. Po ia merrni frymën Pogradecit me këtë veprim. Është një maskaradë që po bëhet këtu, është turp”, deklaroi ai.
Sipas një komunikimi zyrtar me Drejtorinë e Taksave në Bashkinë Pogradec, në hartën e plazheve të miratuara parashikohen 3 parcela publike dhe 3 parcela private, ndërsa nuk ka ndryshime në sipërfaqet e tyre krahasuar me vitin e kaluar. Sa i përket lejeve për stacionet e plazhit, ato miratohen nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe nuk është Bashkia ajo që përcakton apo jep lejet për operatorët turistikë./Kb
