Modeli “Maga”, që mbështetet në privilegjet e tepruara të tregut amerikan, nuk mund të importohet në Britani. Dhe kjo do të jetë një problem për Reform UK.
Nga Rafael Behr
Nigel Farage e do rrezikun. Në kujtimet e tij të vitit 2015, The Purple Revolution, një kapitull i tërë i kushtohet etjes së tij për aventura – si në bursë, ashtu edhe në politikë.
Ai krenohet për kohën kur “humbi një shumë me shtatë shifra në tregtinë e zinkut brenda një mëngjesi”, përpara se të shkonte qetësisht në pub. Kujton me nostalgji ditët e “financës së lirë”, përpara se “rregullatorët e tmerrshëm” ta prishnin kënaqësinë; kohët kur “gabimet e rënda” justifikoheshin me shaka, sepse “vargjet me zero janë të vështira pas një dreke tre-orëshe”.
Farage, tregtari i metaleve, nuk ishte njeri i detajeve. Farage, politikani, ashtu mbetet – por tani bastet janë më të mëdha. Ai po e sheh veten si kryeministër, por kjo nuk do të ndodhë nëse votuesit e perceptojnë si kumarxhiun që mund ta shpërdorojë buxhetin kombëtar në një bast të dehur.
Pikërisht për ta zhdukur këtë përshtypje, Farage mbajti të hënën një fjalim si udhëheqës i Reform UK. Ai hodhi poshtë manifestin e zgjedhjeve të 2024-s dhe premtimin për ulje taksash me vlerë 90 miliardë paund, duke e cilësuar të papërgjegjshëm financiarisht (pa e thënë drejtpërdrejt). Sipas tij, ekonomia e ngadaltë dhe borxhi i lartë i Britanisë kërkojnë menaxhim të matur të financave publike. Madje, la të kuptohet se një ditë mund të rishikohet edhe “triple lock” – garancia që pensionet shtetërore të rriten përherë në terma realë.
Liz Truss nuk u përmend, por “Farageonomika” e re, e kursyer dhe e përmbajtur, synon të shuajë çdo krahasim me buxhetin e saj katastrofik që dogji kredibilitetin financiar të vendit.
Duke u marrë me makroekonomi, Farage kërkon të tregojë se ka diapazon, se politikat e tij nuk kufizohen vetëm te emigrantët. Ai di gjithashtu të ankohet për Bankën e Anglisë (shumë e kujdesshme ndaj kriptovalutave), për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (të kapur nga “agjenda e diversitetit”), për pensionet publike (“një barrë kolosale”) dhe për politikën e neto-zero (“rritje e padrejtë e faturave të energjisë”).
Evropa nuk mund të shërbejë më si shkaktare për çdo të keqe, por vajtimi i vjetër përshtatet në një tonalitet pas-Brexit: mundësia për deregulim nga burokracia e Brukselit “është shpërdoruar”. Rregullatorët “vrasin” instinktin sipërmarrës të tregut; shteti burokratik shpërblen dembelët dhe ndëshkon krijuesit e pasurisë. Zgjidhja? Ulja e ndihmave për personat me aftësi të kufizuara dhe privilegje tatimore për të pasurit që jetojnë në Dubai, për t’i kthyer “në atdhe”. Sa i përket detajeve të llogarisë – pikë dhjetore, zero, shifra – mbeten të mjegullta në atmosferën e një dreke të gjatë.
Ngjyra dhe emri i partisë së Farage-it kanë ndryshuar që nga The Purple Revolution, por thelbi i argumentit është po ai. Ndryshimi i vetëm i madh është toni – më pak agresiv, më i lodhur. Ndoshta qëllimisht i tillë, për të dhënë përshtypjen e seriozitetit fiskal, por ai tingëlloi si njeri që po mërzitet nga vetja duke përsëritur të njëjtën ligjëratë.
Ndoshta për këtë arsye ai pohon shpesh se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme do të mbahen në 2027. Nuk ka asnjë arsye që Keir Starmer t’i thërrasë më herët, por Farage ka nevojë për to sa më shpejt. Për të kaluar nga “mjeti proteste” në “kandidat të besueshëm për kryeministër”, ai duhet të tërheqë votuesit që e shohin si potencialisht të rrezikshëm. Por kjo qetësi ka një çmim: humbja e radikalizmit.
Entuziazmi i lëvizjes së tij varet nga mbajtja e mbështetësve më të zjarrtë në gjendje zemërimi të përhershëm, ndërsa respektueshmëria kërkon disiplinë dhe kontroll të gjuhës raciste e të dhunshme të disa deputetëve të Reformës. Të bësh të dyja njëherësh – seriozitet institucional dhe revoltë popullore – është lodhje, dhe kjo tashmë po dallohet.
Por politika ekonomike është sfida më e madhe. Modeli amerikan i populizmit të djathtë, që Farage e adhuron, nuk mund të përshtatet me realitetin financiar britanik. Dhe kjo tashmë është provuar. Këshilli i Kent-it, bastioni i Reform UK, premtoi shkurtime “Dogë-style” të shpenzimeve, frymëzuar nga mënyra e Elon Musk për të prerë buxhete në SHBA. Rezultati? Kaos politik dhe administrativ.
As në Uashington, “Dogë” nuk doli fitimtar, por SHBA luan në një terren krejt tjetër. Rregullat e zakonshme të disiplinës fiskale nuk vlejnë – të paktën për momentin – për një vend që zotëron monedhën rezervë të botës dhe që gjithmonë gjen blerës për borxhin e vet.
Ky “privilegj i tepruar” është ajo që i lejoi Donald Trump-it, më herët këtë vit, të zbatonte ulje taksash që do ta çojnë deficitin amerikan në 3 deri në 4 trilionë dollarë deri në fund të dekadës. Shtëpia e Bardhë pretendon se buxheti do të vetërregullohet përmes rritjes ekonomike – e njëjta gjë që tha Truss. Por tregjet e obligacioneve nuk u bindën.
Trump beson gjithashtu se tarifat ndaj vendeve të tjera mund të zëvendësojnë të ardhurat tatimore të brendshme. Gabim – si në teori, ashtu edhe në praktikë. Tarifat janë taksë importi që paguajnë konsumatorët amerikanë, jo të huajt, dhe të ardhurat e tyre janë minimale krahasuar me deficitin. Për momentin, absurditeti mbetet pezull, duke sfiduar gravitetin ekonomik.
Kjo “magji” nuk është e mundur për një kryeministër britanik. As zakon Trump për të “shtrydhur” korporatat amerikane për fonde. Po të flirtuonte Reform UK me Trumponomics-in, tregjet financiare do të tronditeshin pas çdo sondazhi që e nxjerr përpara. Laburistët do të kishin të drejtë të paralajmëronin se vota për Reform UK është votë për falimentimin e Britanisë.
Farage është kumarxhi, por jo budalla. Ai e di që duhet të zbusë tonin dhe të paraqitet si serioz për buxhetin. Por përqendrimi në detaje s’është fort specialiteti i tij, dhe përgjegjësia e lodh. Ndoshta do të provojë ta fitojë lojën pa to, duke llogaritur se laburistët do të ngatërrohen dhe konservatorët nuk do të gjejnë ritmin. Por ajo që del në pah është pasiguria e tij e thellë për ekonominë.
Skenari i vjetër është konsumuar – dhe pa manualin e Trump-it për t’u kopjuar, Nigel Farage s’ka më asgjë të re për të thënë, veçse shumë kohë për t’u zbuluar duke mos thënë asgjë.
Burimi: The Guardian/ Përgatiti për botim: L. Veizi
