Me një vendim të kryetarit Sokol Sadushi, Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e praktikës së njësuar të deritanishme për masat e sigurisë, i zbatuar që prej një dekade e gjysmë në Shqipëri, që prej vendimit unifikues nr. 7 të datës 14 tetor 2011. Pikërisht rregullat procedurale të vendosura në këtë vendim synohet të ndryshohen pas kësaj nisme, e cila ka si qëllim kufizimin e dhënies pa kriter të masës së sigurisë ‘arrest me burg’.
Ish-deputeti i PS, Plarent Ndreca, teksa përshëndeti këtë nismë në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, tha se Shqipëria ka marrë kritika të forta në BE për numrin e lartë të të paraburgosurve.
“Nga çdo drejtim i mundshëm vijnë kritika për çështjen e masave të sigurimit, respektimin e kritereve dhe kushteve për vendosjen e një mase sigurimi. Kanë ardhur kritika të forta edhe nga BE. Ju e dini që para disa javëve ishte edhe drejtori për të drejtat e njeriut në BE, që hodhi kritika të forta për paraburgimet në Shqipëri, ashtu siç hodhi kritika edhe për mënyrën sesi gjykatat vendosin mbi përcaktimin e kritereve apo afateve për të qëndruar në paraburgim, i cili nuk vlerësohet në mënyrë dinamike ashtu siç Gjykata e Strasburgut e ka vendosur”, tha Ndreca./kb
