Qindra fansa dhe fotografë pritën yjet në premierën botërore të filmit “Peaky Blinders: The Immortal Man” në Birmingham, në një mbrëmje të mbushur me emocione.
Në tapetin e kuq parakaluan aktorët Cillian Murphy, Rebecca Ferguson dhe Tim Roth, të cilët u pritën me ovacione të forta nga publiku. Murphy, që prej vitit 2013 ka mishëruar personazhin ikonik Tommy Shelby, I cili falënderoi fansat për suksesin global të serialit.
“Ndjej një mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj fansave që e kthyen këtë serial në një fenomen botëror,” tha ai.
Krijuesi i serialit, Steven Knight, dhe Murphy vlerësuan publikisht njëri-tjetrin për bashkëpunimin shumëvjeçar. Knight theksoi se sipas Netflix, rreth dy miliardë njerëz pritet ta shohin filmin, duke nisur me pamjet e Birminghamit në ekran.
Regjisori Tom Harper e cilësoi komunitetin e fansave si “motorin” që e çoi projektin deri në këtë pikë.
Rikthimi i Tommy Shelby
Filmi rikthen Murphy në rolin e liderit të bandës, i cili në këtë kapitull të ri rikthehet në Birmingham gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“The Immortal Man” do të shfaqet në kinema të përzgjedhura për dy javë dhe më pas do të transmetohet në platformën Netflix nga 20 marsi.
Premierës në Birmingham iu përgjigj një duartrokitje e gjatë dhe e pandërprerë, një mbrëmje që shumëkush e përshkroi si historike për qytetin dhe për një nga serialet më të suksesshme britanike të dekadës së fundit./mxh
