Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, mandati i së cilës përfundon në mars, e ka kërkuar zyrtarisht mbështetjen për të qenë edhe njëherë në krye të vendit, por Albin Kurti thotë se ekziston mundësia që vendi të shkoj përsëri në zgjedhje.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, tha Albin Kurti.
Kurti i dërgon kështu një mesazh Osmanit, e cila gjatë fushatës zgjedhore u akuzua nga partitë opozitare se mbështeti VV duke e caktuar datën e zgjedhjeve në 28 dhjetor. Sipas opozitës, kjo favorizonte Kurtin duke i dhënë mundësi diasporës të votoj për të./E.T
