Inteligjenca nuk është një formulë e vetme. Ajo lidhet me kureshtjen, krijimtarinë, mënyrën si përpunohet informacioni, madje edhe me faktorë gjenetikë. Por mënyra si rritet një fëmijë ka një ndikim real në zhvillimin e këtyre aftësive. Ekspertë të edukimit theksojnë se prindërit mund të krijojnë kushte që e ndihmojnë inteligjencën të zhvillohet natyrshëm.
Një këshilltar universitar, YJ Heo, duke reflektuar mbi njerëzit shumë të suksesshëm që ka njohur gjatë jetës akademike, ndau disa zakone që i kishte parë vazhdimisht në familjet e tyre. Dhe jo, nuk kanë të bëjnë me presionin apo perfeksionin, përkundrazi.
1. Darkat nuk janë vetëm për të ngrënë, por edhe për të diskutuar
Fëmijët mund të mos kuptojnë gjithçka, por dëgjimi i bisedave më të thella në tavolinë i ndihmon të përthithin mënyrën si funksionon bota. Këto diskutime i mësojnë të mendojnë, të shprehen dhe të marrin pjesë në biseda reale.
2. Leximi është pjesë e përditshmërisë
Fëmijët që rriten në shtëpi ku lexohet shumë zhvillojnë më shpejt të kuptuarit dhe mendimin kritik. Sa më herët të krijohet ky zakon, aq më e fortë bëhet baza e tyre për të mësuar.
3. Kureshtja nuk lihet në dorë të rastësisë
Prindërit krijojnë një ambient që e nxit eksplorimin: muze, muzikë, libra, apo thjesht duke ndarë interesat e tyre. Qëllimi është që fëmija të ekspozohet ndaj sa më shumë ideve dhe përvojave.
4. Flitet për botën, jo vetëm për rutinën
Filmat, librat apo ngjarjet aktuale nuk konsumohen thjesht për argëtim. Diskutimi rreth tyre i ndihmon fëmijët të kuptojnë kuptimin pas gjërave dhe të zhvillojnë mendimin analitik.
5. Prindërit janë më shumë si trajnerë sesa thjesht mbështetës
Ata nuk bëjnë gjithçka në vend të fëmijës, por e udhëzojnë si të veprojë. Ky rol i ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi reale, jo vetëm vetëbesim të përkohshëm.
6. U mësojnë si të lidhen me të tjerët
Empatia dhe inteligjenca emocionale janë po aq të rëndësishme sa aftësitë akademike. Fëmijët mësojnë të dëgjojnë, të kuptojnë perspektiva të ndryshme dhe të komunikojnë pa paragjykim.
7. Krijojnë një hapësirë pa gjykim
Fëmijët ndihen të lirë të shprehen pa frikë se do gjykohen. Kjo i ndihmon të mendojnë lirshëm, të bëjnë pyetje dhe të zhvillojnë kureshtjen pa pengesa./MXH
