Greqia ka miratuar një program të ri armatimi me vlerë 4,2 miliardë euro, ku pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për blerjen e një sistemi të avancuar të mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore nga Izraeli.
Sipas një burimi në Ministrinë greke të Mbrojtjes, sistemi i quajtur “Mburoja e Akilit” kushton rreth 3,0 miliardë euro dhe u miratua gjatë mbledhjes së Këshillit Qeveritar për Mbrojtjen dhe Punët e Jashtme.
Ky sistem shumështresor synon të mbrojë territorin grek nga dronët, avionët luftarakë, raketat e lundrimit dhe raketat balistike, duke integruar disa teknologji të ndërlidhura të mbrojtjes ajrore.
Paketa e re e armatimit përfshin gjithashtu blerjen e avionëve transportues “C-390” “Millennium”, dronëve “Heron”, raketave për helikopterët sulmues “Apache”, mjeteve detare të fshehta “Victa” për operacione speciale, si dhe sistemeve sonar për fregatat e marinës greke.
Athina vazhdon të mbajë një nga buxhetet më të larta të mbrojtjes në NATO, duke shpenzuar rreth 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, mbi objektivin prej 2% të aleancës.
Autoritetet greke e justifikojnë këtë nivel investimesh me tensionet e vazhdueshme me Turqinë, e cila gjithashtu është anëtare e NATO-s.
Në prill të vitit 2025, qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis prezantoi një plan 12-vjeçar modernizimi të forcave të armatosura me vlerë rreth 25 miliardë euro, të cilin e cilësoi si reformën më të madhe ushtarake në historinë moderne të vendit.
Që nga ardhja në pushtet e Mitsotakisit në vitin 2019, Greqia ka investuar ndjeshëm në forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake, duke blerë fregatat franceze “Belharra”, avionët luftarakë “Rafale” dhe duke nënshkruar marrëveshje për furnizimin me 20 avionë amerikanë “F-35”.
Gjithashtu, në prill të këtij viti, Greqia dhe Franca rinovuan marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron ritheksoi mbështetjen e Parisit për sovranitetin grek në rast kërcënimi./mxh
