Last Updated on 01/03/2026 by Kesjana
Nga Shpëtim Luku
Deklarata e Dashamir Shehit në një nga daljet e tij televizive për Berishën se “sot është 82 vjeç, në zgjedhjet e ardhshme do jetë 85 dhe nëse qeveris do jetë afër 90-ve” nuk është thjesht një batutë politike. Ajo është një një shprehje e koncentruar e asaj që ndodh në politikën shqiptare. Është një llogari aritmetike, por edhe politike. Dhe politika, sado të përpiqet ta injorojë, nuk i shpëton dot biologjisë.
Në fakt, këtë arsyetim e bëjnë në heshtje shumë qytetarë, edhe pse nuk e thonë publikisht. Ata nuk kanë asgjë personale me individin, por kanë një shqetësim legjitim:
a mund të përfaqësojë të ardhmen një figurë që i përket biologjikisht së shkuarës? Që ka patur mundësi të tregojë çka patur aftësi të bëjë disa herë dhe i ka shpërdoruar në mënyrën më të keqe të mundshme këto mundësi.
Nga ana tjetër, pjesa më fanatike e opozitës refuzon ta bëjë këtë llogari. Për të mjafton një parullë: “Rama ik”.
Por politika nuk është vetëm parullë. Është mbi të gjitha alternativë. Dhe alternativa nuk matet vetëm me kundërshtarin, por edhe me perceptimin që ka publiku për ty.
Nëse një pjesë thërret “Rama ik”, një pjesë tjetër, më e madhe numerikisht, thërret “Berisha ik”. Ky është thelbi i bllokimit politik shqiptar. Pra
jo se mungon pakënaqësia ndaj qeverisë, por sepse mungon besimi tek opozita.
Këtu lind edhe paradoksi:
Opozita ka arsye të forta për të kritikuar qeverinë, por i mungon fytyra që të mishërojë të nesërmen.
Ajo flet për ndryshim, por përfaqësohet nga një figurë që simbolizon vazhdimësinë e tranzicionit.
Në demokracitë funksionale, liderët nuk zëvendësohen vetëm kur humbin zgjedhjet, por kur humbin të ardhmen. Në Shqipëri ndodh e kundërta: liderët qëndrojnë edhe pasi e ardhmja u ka ikur nga duart.
Ndaj edhe slogani “Rama ik” bie në vesh të shurdhër për një pjesë të madhe të shoqërisë, sepse pyetja që lind automatikisht është:
ik, por kush vjen?
Kjo është pyetja që opozita nuk po i përgjigjet dot.
Dhe derisa të mos i përgjigjet, do vazhdojë të jetë opozitë edhe kur qeveria gabon.
Problemi nuk është vetëm mosha biologjike.
Është edhe mosha politike.
Është edhe fakti që debati shqiptar vazhdon të sillet rreth emrave dhe jo rreth projekteve. Rreth individëve dhe jo rreth brezave.
Në këtë kuptim, deklarata e Dashamir Shehit nuk është sulm personal, por është një diagnozë politike. Vënie e gishtit mbi plagë.
Kur një opozitë që nuk prodhon të ardhme, nuk mund të fitojë zgjedhjet. Edhe kur qeveria lodh popullin./kb
